Aktualitet “Artikull 100% plagjiaturë”, Argita Berisha i përgjigjet Taulant Mukës

“Artikull 100% plagjiaturë”, Argita Berisha i përgjigjet Taulant Mukës

Ish zv.ministri i Arsimit, Taulant Muka ka akuzuar pedagogen Argita Malltezi për plagjiaturë në një artikull të publikuar.

“Gjeni ndryshimin? Argita Berisha Malltezi (vajza e Sali Berishës) me artikull 100% plagjiaturë. Një material tërësisht i kopjuar nga një publikim i Universitetit të Vlorës. Universitetet shqiptare dhe e ardhmja e të rinjve janë marrë peng nga kakistokratët majtas dhe djathtas, të cilët e konsiderojnë auditorin si një ambjent për familjet e tyre dhe jo për të diturit”, shkruan Muka në Facebook.

Argita Malltezi i përgjigjet duke u shprehur se artikulli në fjalë nuk është i saj dhe kjo mund të provohet fare lehtë nga dosja që ndodhet në Ministrinë e Arsimit.

Reagimi i Malltezit:

Taulant Muka ka bërë zbulimin se një artikull që mban emrin tim, i botuar në vitin 2011 është plagjiaturë e artikullit të një punimi tjetër. Sqaroj publikun se:

Artikulli në fjalë nuk është i imi dhe nuk ia kam idenë pse emri im figuron si autor i dytë. Mund të provohet fare lehtë nga dosja që ndodhet në Ministrinë e Arsimit se ky artikull nuk figuron në listën e artikujve apo prezantimeve në konferenca që unë kam dorëzuar për marrjen e titujve shkencorë dhe as që gjendet në ndonjë nga CV-të që unë kam përdorur ndonjëherë. Në botimet e mia të dorëzuara për marrjen e titujve, përveç artikujve të botuara në revista vendase dhe ndërkombëtare janë edhe disa libra, të cilat janë pjesë e fondit të bibliotekave vendase dhe të huaja, përfshirë Library of Congress.

Nëse z.Muka do të kishte integritet kërkimor, vulën e të cilit pretendon se mban në Shqipëri, do të kishte marrë mundimin të kontaktonte me autorët të cilëve u përmend emrin për të pyetur nëse kanë shkruar një shkrim të tillë. Por mesa duket shërbimet që Muka kryen për llogari të të tjerëve janë më afër mendjes së tij sesa kërkimi shkencor pranë zemrës.