Kulturë Artistja pyet: “Çfarë nuk shkon me këtë foto?” Njerëzit i japin përgjigjen...

Artistja pyet: “Çfarë nuk shkon me këtë foto?” Njerëzit i japin përgjigjen që nuk priste

Bette Midler, këngëtare, tekstshkruese, aktore dhe producente amerikane, publikoi një foto në Twitter ku pyet “Çfarë nuk shkon me këtë foto?”.

Midler postoi një foto të tre vajzave, të cilat në pamje të parë shfaqin mungesë interesi ndaj “Aegina visited by Jupiter”, pikturuar nga artisti i shekullit XVIII, Jean-Baptiste Greuze. Fotoja është shkrepur në Muzeun Metropolitan të Artit në Nju Jork.

Por ndryshe nga ç’priste Midler, njerëzit reaguan kundër saj. Ata theksojnë se nuk është me vend që ajo përpiqet të fyejë të rinjtë. “Asgjë nuk ka të gabuar në këtë foto pasi ne nuk e dimë kontekstin”, iu përgjigj shkrimtarja Karina Ray-Saulis. “Ato mbase po flasin me prindërit e tyre, pasi mund të kenë kaluar shumë kohë në muze. Ndoshta po lexojnë për historinë e artit në faqen e muzeut.”

Ka edhe komente ku shkruhet se edhe sikur të mos kenë interes ndaj një pikture të caktuar, nuk ka vend për ironi, pasi është e gjitha çështje shijesh.

Të tjerë ndjekës shkruajnë se vajzat mund të jenë duke pushuar pas disa orëve rreth e rrotull muzeut. Të tjerë njerëz shtojnë se pajisjet që Bette Midler kritikon, pra telefoni, ka më shumë informacion rreth veprave të artit sesa etiketat e vogla përbri pikturave në muze.

Burimi: CNN