Sport As Ronaldo e as Bernardeschi, Capello zgjedh më të mirin e Juve-s

As Ronaldo e as Bernardeschi, Capello zgjedh më të mirin e Juve-s

Ndeshje perfekte e Juventus, tre gola të Ronaldo-s dhe lojë e shkëlqyer e Bernardeschi, ky është çelësi i suksesit të bardhezinjve sipas Fabio Capello-s.

Bëri që Spinazzola të debutojë në krah të majtë, hodhi Bernardeschi kur të gjithë ishin kundër tij dhe bëri që Emre Can të ishte një mbrojtës perfekt, për ish-trajnerin Capello njeriu i ndeshjes në fushë për Juventus-in ishte padyshim Massimiliano Allegri.

“Më i miri në fushë pa asnjë dyshim ishte Allegri. Ai hodhi në fushë ekipin e duhur, ai e kuptoi se ku do godiste ekipi i Simeone-s”, tha fillimisht italiani.

“Saktësia dhe pozicionimi i Spinazzola dhe Cancelo ishin përcaktues, me Bernardeschi që mbi të gjithë tregoi që ka kualitet dhe forcë edhe pse luajti ndaj një skuadre të mbyllur në mbrojtje. Emre Can ishte shumë i rëndësishëm, ai ndryshoi marshin e lojës”, shtoi më tej Capello.

Si përfundim ish-trajneri komplimentoi ekipin sepse të gjithë iu përgjigjen pozicioneve dhe detyrave në fushë ashtu siç i kishte përgatitur trajneri në stërvitje.