Kulturë “Asgjë e re në frontin e Perëndimit”, 50 vjetori i vdekjes së...

“Asgjë e re në frontin e Perëndimit”, 50 vjetori i vdekjes së Erich Maria Remarkut

“Asgjë e re në frontin e Perëndimit” është romani par-ekselencë kundër luftës. Në 50 vjetorin e vdekjes së Erich Maria Remarkut, një vështrim në librin e tij me famë botërore.

Libri i Remarkut është portreti i një brezi, i cili nga bankat e shkollës vajti me eufori në front dhe humbi në fund jetën nga makineria vrastare e luftës. Shumë burra në fillim të shekullit të 20-të e pritën me të vërtetë me padurim Luftën e Parë Botërore.

Ishte koha e përmbysjeve të mëdha dhe e pasigurive të mëdha. Progresi teknik përcaktonte hapin: fabrika, makina, zbulime të reja shkencore. Shoqëria patriarkale pësoi çarje, gratë u rebeluan kundër roleve dhe modeleve të vjetra dhe kërkonin me zë të lartë më shumë të drejta.

E vjetra mbaroi, e reja erdhi shumë shpejt dhe i befasoi njerëzit duke i mbingarkuar ato, sidomos botën mashkullore. Kështu ata shpresonin se lufta mund të ishte “forca pastruese” për të ndaluar ndryshimin. Ata e brohoritën shpërthimin e luftës në verën e vitit 1914 dhe besonin fort, se për Krishtlindje do të ishin përsëri në shtëpi. Por nuk doli ashtu.

“Ne mësuam, se një pullë e pastruar mirë është më e rëndësishme sesa katër vëllime të Schopenhauerit. Në fillim të çuditur, më pas të hidhëruar dhe më në fund indiferentë, kuptuam se me sa dukej nuk ishte ideali vendimtari, por […] trajnimi i fortë”.

“Asgjë e re në frontin e Perëndimit” nga Erich Maria Remarque

Jeta në llogore

Kasaphana në llogore, nata nën breshërinë e granatave, monotonia midis sulmeve: Të gjitha këto i përjeton rrëfyesi i Remarkut në vetën e parë, një rekrut i ri. Nxënësi delikat kthehet në një qënie gjysmake të shtangur.

“Një rekrut (…) tërheq pas vetes gjurin e copëtuar; një tjetër shkon te pika e fashimit të plagëve, dhe mbi duart që i mban të kryqëzuara shpërthejnë zorrët (…) Tmerri mund të durohet, për sa kohë i nënshtrohesh; por ai merr jetë, kur e mendon”.

Gënjeshtra nga nevoja çoi në suksesin botëror

Remarku i përshkroi shumë qartë ngjarjet e luftës, por atij vetë iu desh të luftonte shumë shkurt në front. Në vitin 1916 ai u rekrutua me detyrim duke qenë nxënës shkolle, por shumë shpejt u plagos dhe u dërgua në një spital fushor. Atje ai dëgjonte historitë e të plagosurve rëndë në front dhe mbante shënime, prej të cilave doli më vonë romani i tij me famë botërore. Por për të stimuluar shitjen e librit Remarque, pohoi se i kishte përjetuar vetë të gjitha. “Asgjë e Re në frontin e Perëndimit” u botua për herë të parë si libër në vitin 1929 dhe u bë brenda natës një nga sukseset më të mëdha në letërsinë gjermane. Kritikët në të gjithë botën e përshëndetën romanin si një “akuzë pacifiste kundër luftës”. Pak kohë më vonë ai u bë madje film nga Hollywoodi.

U dogj dhe u ndalua

Qarqet e djathta në Gjermani shihnin tek libri baltosjen e kujtimit të ushtarëve të tyre. Në vitin 1933 pas marrjes së pushtetit nga nazistët, libri i Remarkut u dogj publikisht dhe u ndalua. Ndërkohë autori i tij kishte emigruar prej kohësh në Zvicër. Remarku derisa vdiq shijoi imazhin e tij si pacifist dhe famën e tij të hershme, por e cila nuk u pasua me vepra të tjera. Vite më vonë ai e pranoi, se kishte qenë gjithmonë një njeri apolitik.

Erich Maria Remarque u lind në Osnabrück në 1898 në një familje, që kishte emigruar nga Franca. Në vitin 1933 ai emigroi në Zvicër. Puna e tij u dënua nga nazistët dhe shkrimet e tij u hodhën në zjarr gjatë djegies së librave. Nga viti 1939 ai jetoi në SHBA, pas luftës jetoi edhe në Shtetet e Bashkuara edhe në Zvicër. Ai ndërroi jetë në Locarno në vitin 1970./DW