Aktualitet Asnjë rast me Covid prej dy javësh në këto tetë bashki

Asnjë rast me Covid prej dy javësh në këto tetë bashki

Tetë bashki në vend konsiderohen “covid free” nga specialistët e Intitutit të Shëndetit Publik. Në një intervistë për Televizionin Klan, Artan Simaku, thotë se prej disa javësh në këto bashki nuk është regjistruar asnjë rast i ri me Covid.

“Në rang vendi ka një rënie në të gjitha bashkitë e vendit. Dy javët e fundit zona pa raste janë Puka, Bulqiza, Klosi, Fushë Arrëzi, Belshi, Peqini, Ura Vajgurore dhe Divjaka”.

Ekspertët parashikojnë që situata e koronavirusit në vend të vijojë të jetë e qëndrueshme dhe me raste gjithmonë në rënie.

“Ky trend rënës parashikohet që të vazhdojë pasi ka rënë numri i rasteve të reja, ka rënë dhe përqindja e pozitiviteti, ka rënë edhe numri i personave të shtruar. Numri i rasteve fatale është i qëndrueshëm dhe në trend rënës. Ky trend parashikohet të vazhdohet edhe në javët në vijim”.

Vaksinimi dhe imunizimi natyror sipas ekspertëve po ndikon në përmirësimin e shifrave të Covid-19 në vend, por ato apelojnë sërish për respektim të masave antiCovid.