Bota AstraZeneca përballet me pyetje të vështira për vaksinën

AstraZeneca përballet me pyetje të vështira për vaksinën

Kompania AstraZeneca mund të zhvillojë një provë tjetër në shkallë botërore për të vlerësuar efikasitetin e vaksinës së saj për koronavirusin, tha shefi i saj ekzekutiv Pascal Soriot, sipas një njoftimi të rrjetit Bloomberg News.

Pak ditë pas lajmeve të bujshme për vaksinën e saj të koronavirusit, kompania po përballet me pyetje të vështira lidhur me nivelin e suksesit të vaksinës, që disa ekspertë thonë se mund t’i pengojë shanset për të marrë miratim të shpejtë nga rregullatorët në SHBA dhe BE.

Disa shkencëtarë kanë ngritur dyshime në lidhje me saktësinë e rezultateve që tregojnë se vaksina ishte 90% e efektshme tek një nën-grup pjesëmarrësish, të cilët, gabimisht morën në fillim një gjysmë doze dhe pastaj dozë të plotë.

Peter Openshaw, profesor i mjekësisë eksperimentale në Imperial College London tha: “Ne duhet të presim të dhënat e plota dhe të shohim se si do t’i vlerësohen rezultat nga rregullatorët.” Ai tha se rregullatorët e SHBA dhe të Evropës “mund të kenë pikëpamje të ndryshme” nga njëri-tjetri.

Firma britanike e ilaçeve AstraZeneca tha të hënën se vaksina e saj eksperimentale, e krijuar me Universitetin e Oksfordit, parandaloi mesatarisht 70% të rasteve të COVID-19 në provat e fazës së vonë në Britani dhe Brazil.

Ndërsa shkalla e suksesit ishte 90% në nën-grupin e vullnetarëve, efikasiteti ishte 62% nëse doza e plotë jepej dy herë, siç u veprua për shumicën e pjesëmarrësve.

Kjo është mjaft më e lartë mbi nivelin 50% të kërkuar nga rregullatorët e SHBA. Rregullatorët e ilaçeve në Evropë kanë thënë se nuk do të vendosin një nivel minimal efikasiteti për vaksinat e mundshme.

Në qendër të shqetësimeve, megjithatë, është fakti se rezultati më premtues prej 90% i provave vjen nga një analizë e nëngrupeve, një teknikë që shumë shkencëtarë thonë se mund të prodhojë lexime të gabuara.

Në nën-grupin që dha efikasitetin 90%, morën pjesë vetëm 2,741 vullnetarë, shumë më pak sesa dhjetëra mijëra njerëzit që morën pjesë në provat, të cilat rezultuan në efikasitet 90% të publikuara në fillim të këtij muaji për vaksinat Pfizer-BioNTech dhe Moderna.

AstraZeneca tha se provat me gjysmë doze u shqyrtuan dhe u miratuan nga vëzhguesit e pavarur të sigurisë së të dhënave dhe rregullatori i Mbretërisë së Bashkuar, duke shtuar se rregullatori konfirmoi publikisht se nuk kishte “asnjë shqetësim”.

Rregullatori amerikan, Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA), nuk ka komentuar mbi rezultatet e provave të AstraZenecas. Agjencia Evropiane e Barnave tha të enjten se do t’i “vlerësonte të dhënat mbi efikasitetin dhe sigurinë e vaksinës në javët e ardhshme pasi të jenë marrë nga kompania”.

Problemet i vuri në dukje edhe Edhe Moncef Slaoui, këshilltari kryesor shkencor për programin e vaksinave të qeverisë amerikane që mban emrin Operacioni Warp Speed.

Ai tha se askush në nën-grupin që mori gjysmën e dozës nuk ishte më i vjetër se 55 vjeç, duke lënë të kuptohet se efikasiteti tek moshat më të vjetra është ende i paprovuar në këto të dhëna.

Por ai shtoi se në grupin që mori një dozë të saktë të plotë të ndjekur nga një tjetër dozë e plotë ishin përfshirë njerëz të moshuar.