Politika Astrit Patozi: Të superorganizuar në kaosin e luftës së tyre

Astrit Patozi: Të superorganizuar në kaosin e luftës së tyre

Nga Astrit Patozi

Vini re sa të organizuar janë në spontanitetin dhe kaosin e luftës së ashpër midis tyre!

I pari ka vendosur ta mbrojë kushtetutën me trupin e vet, qoftë edhe i vetëm në një betejë titanike, ku është zbuluar se palaçot ndërkombëtarë janë duke flirtuar me armikun.

I dyti na thotë të ëndërrojmë mrekullinë, që do të shpërthejë në “Shqipërinë që duam”, duke na tundur para syve flamurin e rreckosur të një drejtësie të munguar, e cila do të vonojë, por nuk do të harrojë.

Ndërsa i treti e ka marrë më me nge, pasi është duke na intriguar të përfytyrojmë “Bagëti e bujqësi” të Naim Frashërit në versionit digjital, sepse i kanë premtuar se ditë më të mira paskëtaj do të vijnë.

E ndërkohë që populli nuk di ku të përqëndrohet më parë prej këtij rivaliteti të ashpër, në komisionin e Damianit dhe të Rudinës, që asistohet fort nga ambasadori Borchardt, po i jepen duart e fundit debatit për seksin e engjëjve, në mënyrë që asgjë thelbësore të mos ndryshojë në Republikën tonë sovrane.

Që do të thotë se me reformën e re zgjedhore, si plotësim i njërit prej kushteve të Bundestagut, të garantohet për të paktën edhe 6 vjet të tjera riprodhimi normal i përbindëshave politikë, që herë pas here na ftojnë të përleshemi me njëri-tjetrin për të drejtat e tyre kushtetuese, kur ia shkel kundërshtari.