Aktualitet Ata ishin 3/ Zbulohet personi që u shpëtoi plumbave në Elbasan

Ata ishin 3/ Zbulohet personi që u shpëtoi plumbave në Elbasan

Vrasja e Ardjan Çollakut dhe Lulzim Bitrit në Elbasan, është filmuar nga kamerat e sigurisë së bizneseve aty pranë dhe pikërisht këto prova janë faktet më të rëndësishme që qëndrojnë për momentin në dorën e hetuesve.

Grupi i hetimit që drejtohet nga prokurori Ervin Beqiri, ka sekuestruar dhe dy armët automatike të djegura në makinën tip “Volvo”, të cilën autorët e kanë përdorur për kryerjen e kësaj vrasje.

Nga çfarë kanë filmuar kamerat e sigurisë, autorët kanë qenë 3 persona.

Tre persona kanë qenë dhe nga pala e dëmtuar si Ardjan Çollaku, Lulzim Bitri dhe një person tjetër që fatmirësisht u ka shpëtuar plumbave.

“Ora News” raporton se pikërisht ky person i tretë quhet, Florenc Çekrezi, i cili ka qenë së bashku me dy viktimat kur dy personat e armatosur dhe të veshur me të zeza, kanë zbritur nga makina “Volvo” dhe kanë hapur zjarr.

Çekrezi, është larguar me vrap ndërsa dy miqtë e tij, Ardjan Çollaku dhe Lulzim Bitri, mbetën të vrarë. Sipas burimeve, nga pamjet filmike autorët dukshëm janë shumë të qetë në kryerjen e krimit dhe po aq të qetë janë në momentin e largimin nga skena e ngjarje.

Ata kanë qenë tre, një në timon të makinës “Volvo” dhe dy kanë zbritur duke qëlluar. Armët e zjarrit dhe makina e krimit janë gjendur të djegura plotësisht në fshatin Balldren.

Hetimi i policisë dhe prokurorisë së Elbasanit është përqendruar plotësisht në pamjet filmike dhe tek dëshmia e dëshmitarit kryesor të kësaj ngjarje, i mbijetuari Florenc Çekrezi. Ky i fundit ka dhënë detaje mbi atë çfarë ka ndodhur. Sipas tij, të tre personat kanë qenë në ambientet e një lokali aty pranë.

Sapo kanë dalë nga lokali, kanë qëndruar rreth 20 minuta buzë rrugës, duke biseduar me njëri-tjetrin, kur papritur përballë tyre janë shfaqur dy persona me veshje të zezë, duke hapur zjarr menjëherë.

Viktima Ardjan Çollaku rezultonte i dënuar me 23 vite burgim në Itali për akuzën e “Shfrytëzimit të prostitucionit” dhe “Përfshirjes në grup të strukturuar kriminal” e “Prodhim e shitje të lëndëve narkotike”.