Kryesore “Ata thonë do t’i presim kokën Dumanit”, Rama: Nëse hyjmë në BE,...

“Ata thonë do t’i presim kokën Dumanit”, Rama: Nëse hyjmë në BE, askush nuk ka fuqi të bëjë lëvizje të tillë

Kryeministri Edi Rama në një takim me kandidatët për deputet në qarkun e Durrësit u ndal përsëri tek negociatat dhe rëndësia e zgjedhjeve të 11 Majit në zhvillimin e këtij procesi.

Rama u shpreh se merita jonë është që jemi gjendur në vendin e duhur në kohën e duhur të përgatitur. Kreu i qeverisë u shpreh se mbyllja e negociatave brenda vitit 2027 do të ishte një rekord i hatashëm

Rama tha se vetëm integrimi europian do të mundësojë që drejtësia në Shqipëri të mos bjerë më në duart e politikës, siç ka qenë që nga viti 1912.

Në një takim me socialistët e Durrësit, Rama tha se për PS, më 11 maj, duhet të votojnë edhe demokratët, për të siguruar barazinë para ligjit për të gjithë,

“Pala tjetër thotë që nëse sa të marrim votën do ja marrim shpatën drejtësisë dhe gjëja e parë që do të bëjmë është që do t’i presim kokën Altin Dumanit. Në momentin që hymë në BE nuk ka fuqi askush këtu të bëjë lëvizje të tilla, se nuk të lë ajo familje. Prandaj vota në 11 maj për PS nuk është në fakt votë për PS. Patjetër të votojnë mbështetësit tanë, por duhet të votojnë edhe të gjithë demokratët dhe të gjithë çfarë janë në mes që duan që barazia para ligjit të mos jetë më duart e partive”, tha Rama.

“Ne jemi sot forca që do të fusë Shqipërinë në BE. Edhe ne, nëse Shqipëria nuk është në BE, në vite, mund të ndryshojmë qasje. Mund të çohet dikush pas ca vitesh dhe të thotë “Nuk do rrimë të durojmë se çfarë bën prokuroria, çfarë bën gjykata dhe t’i japim fund këtij muhabeti. Ky është thelbi i 11 majit”.

Rama theksoi edhe njëherë përfitimet e qytetarëve me anëtarësimin në BE.

“Ka njerëz shumë që thonë që ça na duhet ne BE-ja. Kjo është një idiotësi. BE për ne është një çështje jetike sepse vetëm duke u bërë pjesë e BE ne si popull do të shpëtojmë nga hijet që na ndjekin nga mbrapa. Vetëm duke u futur në BE ne do të garantojmë disa gjëra, që nga liria individuale tek barazia para ligjit që është gjëja më e parë që ndan një vend demokratik nga një kuazodemokratik”, deklaron kreu i qeverisë.