Sport Atalanta me 10 lojtarë për 80 minuta bie në fund ndaj Realit,...

Atalanta me 10 lojtarë për 80 minuta bie në fund ndaj Realit, City bën detyrën në Gjermani

Atalanta rezistoi për 86 minuta ndaj Real Madridit, madje për rreth 80 minuta luajti me një lojtar më pak, por në fund u thye, duke humbur minimalisht ndaj ekipit rekordmen në Champions. Që bergamaskët ishin në një betejë të pabarabartë (për nga cilësia dhe historia) ndaj “Los Blancos” kjo ishte e qartë, por që skuadra e Gasperinit do të luante nga minuta e 17-të (Freuler me karton të kuq, që sipas mediave italiane ishte vendim i gabuar i arbitrit, meritonte të verdhin) në inferioritet numerik dhe madje do të ishte pranë barazimit askush nuk do ta kishte besuar. Reali, gjithsesi shënoi me Mendy një gol që i jep qetësinë për ndeshjen e kthimit.

Shumë pranë kualifikimit në çerekfinale edhe Manchester City, që fitoi 2-0 në fushën e Borussia Moenchengladbachut me gola të Bernardo Silvas dhe Gabriel Jesusit. Skuadra e Pep Guardiolës vijoi me ecurinë e pabesueshme të rezultateve, teksa regjistroi fitoren e 19-të radhazi në të gjitha kompeticionet.