Dy atentate me distancë kohore 30 minuta tronditën dje vendin: Njëri në Tiranë, ku u plagosën katër persona, dhe tjetri në Lezhë ku si pasojë humbi jetën një person.
Ky i fundit ishte babai i Roan Brahimit që u vra në Athinë më 9 maj të vitit të kaluar.
E gjithë dinamika e atentatit të Tiranës ndryshoi mëngjesin e kësaj të premte.
Ka dyshime se shënjestra ka qenë gruaja e Roan Brahimit dhe jo katër të rinjtë.
Sipas dyshimeve, gruaja e tij përdor makinë të ngjashme, me targë gati të njëjtë, me atë të 4 personave të plagosur.
Po kush ishte Roan Brahimi?
I njohur edhe me emrin Sidorel Prendi nga Pllana e Lezhës, u ekzekutua me armë zjarri në një atentat mafioz mbrëmjen e 9 majit 2024 në Athinë në sy të gruas dhe djalit të tij.
Ende nuk është zbuluar se kush fshihet pas atentatit, por dyshohet se është porositur nga grupi i e Ervis Martinajt për hakmarrje.
Kjo, pasi Brahimi dyshohet se ishte ai që porositi vrasjen e Brilant Martinajt, kushëririt të Martinajt.
Armiqësia duket se nisi vite më parë, ku Brahimi, apo siç njihej ndryshe, Sidorel Prendi, u dhunua dhe denigrua nga Brilant Martinaj.
Ngjarja ndodhi për një borxh bixhozi të cilin Brahimi nuk e shleu. Ylli Brahimi në rreth miqësie me Roan Brahimin (Sidorel Prendi), e dërgoi atë në një nga bazat afër Fushës Kuqes, ku ishin Ervis Martinaj dhe njerëzit e tij të besuar.
Asokohe thuhet se Roan Brahimi paralajmëroi Ylli Brahimin: Nuk ta fal kurrë atë që më ke bërë.
Brahimi u bë i dyshuar për disa atentate të bujshme, mes tyre edhe masakra e Fushë Krujës, ku u vranë Besmir Hoxha, Brilant Martinaj dhe Dikler Vata.
Ngjarja ndodhi më 17 korrik 2022 dhe dyshohet se atentati u porosit dhe u organizua nga Roan Brahimi për eliminimin e Brilant Martinaj, kushëri i Ervis Martinajt.
Më 22 korrik 2022, në Milot, u organizua një atentat ndaj Ylli Brahimit, krahu i djathtë i Ervis Martinajt, ku mbeti i vrarë Klisman Preçi. Edhe për këtë ngjarje, Brahimi u dyshua si organizator.
Roan Brahimi dyshohet të ketë lidhje edhe me vrasjen Gentjan Bejtjes në 15 mars të 2024 në Larushk të Krujës. Një nga personat e arrestuar nga policia si transportues i vrasësve, Ilir Beqaraj, rezulton të ketë lidhje miqësore me të, konkretisht kunat me Roan Brahimin.
Ky i fundit, në bashkëpunim me grupin e Niklës, ka dyshime të forta se kanë bashkëpunuar për të kryer këtë atentat, e po ashtu dyshohen të përfshirë edhe në disa ngjarje të fundit të ndodhura në Kurbin dhe Lezhë. Ata mendohet të kenë qenë financues dhe organizator, për të goditur grupin rival të Ervis Martinajt.
Për vrasjen e Gentjan Bejtjes dyshohet se pajtuan vrasës nga Vlora.
Brahimi u largua nga Shqipëria dhe u vendos në Dubai.