Aktualitet Atentat prokurorit të Durrësit, plagoset bashkë me shoferin dhe “të fortin e...

Atentat prokurorit të Durrësit, plagoset bashkë me shoferin dhe “të fortin e Shijakut”

Prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja, mbeti i plagosur në një atentat të organizuar kundër tij në autostradën Tiranë-Durrës. Bashkë me të u plagos shoferi i tij, Andi Maloku dhe shtetasi Aleksandër Laho, një person me precendentë penalë nga Shijaku.

Ishte ora 16 e 30 minuta kur makina me të cilën ata po udhëtonin në drejtim të kryeqytetit, një Mercedez me targë AA 333 ZD, që rezulton në pronësi të shtetasit Fadil Çalliku, u godit me plumba kallashnikovi poshtë mbikalimit të Shkozetit.

Atentatorët qëlluan nga një tjetër autoveturë në lëvizje dhe u larguan. Nuk janë identifikuar ende. Makina e prokurorit përfundoi pak metra në krah të autostradës.

Pjesën më të madhe të plumbave ajo e ka në pjesën e pasme.

Të plagosurit u nxorën që aty nga disa kalimtarë dhe u dërguan në spital.

Prokurori 44-vjeçar Arjan Ndoja ka marrë dy plumba dhe po kurohet në Spitalin e Durrësit, sëbashku me 48-vjeçarin Muharremi, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Ndërsa 30-vjeçari Maloku është në gjendje të rëndë, në Spitalin e Traumës në Tiranë. Ai ka marrë disa trupa në gjoks dhe njëri i ka prekur shtyllën kurrizore.

Forca të shumta policie janë vënë në lëvizje në përpjekje për të identifikuar dhe kapur autorët.

Në vendin e ngjarjes ishte vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu dhe Drejtori i Policisë Kriminale, Tonin Vocaj. Hetimet po drejtohen nga Prokurori i Krimeve të Rënda, Anton Martini.