Aktualitet Atentati në “Don Bosko”, vritet një grua, 5 të plagosur, mes tyre...

Atentati në “Don Bosko”, vritet një grua, 5 të plagosur, mes tyre edhe një 10-vjeçare

Fatjon Murati dhe pamje nga vendi i masakres

Një grua ka mbetur e vrarë, ndërsa pesë persona kanë të mbetur të plagosur, nga një atentat me armë zjarri mbrëmjen e sonte në Tiranë.

Nga ngjarja ka mbetur e vrarë Mimoza Paja, rreth 60 vjeçe.

Persona ende të pa identifikuar qëlluan me breshëri në drejtim të një lokali në zonën e “Don Boskos”. Lokali raportohet se është në pronësi të Fatjon Muratit, një personazh i njohur i botës së krimit, mik me Indrit Doklen.

Mes të plagosurve është edhe një vajzë 10 vjeçare që është lënduar nga xhamat e thyer të lokalit pas breshërisë së armëve. Sipas policisë, dyshohet se objekt i atentatit të jetë Fatjon Murati, pronari i lokalit.

Të plagosurit janë: Sahit Murati (xhaxhai i Fatjon Muratit), Astrit Meraj, Emanuel Sala, Ermir Bejuku, Genc Shohalli.

Po ashtu, një vajzë 10 vjeçe ka mbetur e lënduar nga xhamat e fasadës së lokalit.

Dyshohet që autorët kanë qenë dy persona të cilët kanë hapur zjarr nga jashtë, në drejtim të lokalit. Ata dyshohet se lëviznin me motor dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes. Banakierja dyshohet se ka mbetur viktimë aksidentalisht nga të shtënat.

Njoftimi paraprak i policisë

Më datë 12.03.2023, rreth orës 21:05, në rrugën “Ananstas Shundi”, në lokalin në pronësi të shtetasit F. M., në rrethana ende të paqarta, nga persona ende të paidentifikuar, është qëlluar me armë zjarri.

Si pasojë ka humbur jetën shtetasja Mimoza Paja, rreth 60 vjeçe, banakierja e lokalit, si dhe janë plagosur shtetasit S. M., 50 vjeç, A. M.,42 vjeç, E. S., 47 vjeç, E. B., 45 vjeç, G. Sh., 55 vjeç, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Gjithashtu është lënduar në dorë nga ciflat e xhamave, një e mitur 10-vjeçare.

Për hetimin e kësaj ngjarjeje është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Ndërkohë janë ngritur pika kontrolli në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës, Elbasan, Lezhë e Dibër.

Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet në gjithë territorin ku dyshohet që mund të kenë lëvizur ose ku mund të fshihen autorët.