Aktualitet Atentati në Tiranë, dyshime për ngatërrim objektivi, në shënjestër ishte gruaja e...

Atentati në Tiranë, dyshime për ngatërrim objektivi, në shënjestër ishte gruaja e Roan Brahimit, përdor mjet të ngjashëm

Ka marrë një drejtim tjetër dinamika e atentatit me 4 të plagosur në Tiranë. Hetuesit kanë dyshime se autorët kanë ngatërruar shënjestër.

Policia ka dyshime se shënjestër e sulmit të ketë qenë gruaja e Roan Brahimit dhe 4 të plagosurit të jenë qëlluar gabimisht.

Bëhet e ditur se gruaja e Roan Brahimit, babai i të cilit u vra pasditen e djeshme në Pllanë të Lezhës përdor makinë të ngjashme me atë të 4 personave të plagosur në Lundër mbrëmjen e djeshme, vetëm pak orë pas ngjarjes në Lezhë.

Si pasojë e atentatit në Tiranë mbetën të plagosur katër persona, tre prej të cilëve ndodhen jashtë rrezikut për jetën ndërsa i mituri 11-vjeçar paraqitet në gjendje më të rëndë.

Ndërkohë pak orë para kësaj ngjarje, në një atentat në Lezhë mbeti i vrarë Gjovalin Prendi, babai i Sidorel Prendit, i njohur edhe si Roan Brahimi, i ekzekutuar 1 vit më parë në Athinë në sytë e fëmijës së tij.

Emri i Roan Brahimit ishte i njohur për drejtësinë shqiptare. Ai njihej si rivali i Ervis Martinajt dhe akuzohej si i përfshirë në atentatin ndaj Ylli Brahimit, ku mbeti i vrarë Klisman Preçi.

Roan Brahimi ishte në kërkim policor edhe për ekzekutimin e Brilant Martinajt dhe miqve të tij, në mbikalimin e Fushë-Krujës, më 17 Korrik 2022.