Kryesore Athina dhe rreziku i një qyteti të tërë të dhënë me qira

Athina dhe rreziku i një qyteti të tërë të dhënë me qira

Çmimet e banesave në Greqi vitet e fundit janë rritur gati në 80 për qind sipas agjencive imobiliare në vend, kjo dhe për shkak të turistëve. Kryeqyteti i vendit është transformuar në një hotel gjigant, dhe për shumë grekë marrja e një banese me qira është kthyer në një sipërmarrje më vete.

Zhurma e rrotave të valixheve është tashmë një tingull familjar në zonat në qendër të Athinës. Kryeqyteti grek është kthyer në një hotel të madh që nga momenti kur fenomeni i turizmit në apartamente është bërë viral dhe në Greqi. Lagje të tëra janë transformuar për të plotësuar kërkesat dhe dëshirat e turistëve. Aktualisht janë më shumë se 126 mijë banesat në vend që ofrohen për qira afatshkurtra. Pjesa më e madhe ndodhet në zonën jugore të Egjeut, dhe në Kretë.

Një zonë në periferi të Akropolit, brenda pak vitesh është transformuar nga një zonë e borgjezisë së mesme në një nga dhjetë vendet më të preferuara në botë për ata që duan të përfitojnë për pushime në një apartament.

Turistët, sidomos ata që udhëtojnë familjarisht e përshkruajnë si një eksperiencë shumë të bukur pasi kanë në dispozicion një apartament të tërë, verandë, dhe ndodhen shumë pranë restoranteve dhe muzeve.

Nëse për turistët kjo vendndodhje është e rehatshme dhe ekonomike, pasi mund të lëvizin në këmbë, banorët vendas nuk janë dakord me këtë fenomen. Kjo për shkak të pasojave, duke nisur që nga ekspozimi i lagjeve ndaj njerëzve të huaj, rritja e çmimit të qirave dhe pakësimi i numrit të apartamenteve që mund të blihen apo të merren me qira nga vetë vendasit.

Banorët vendas shprehen se nëse dikur kjo ka qenë një zonë e qetë, vitet e fundit shumë gjëra kanë ndryshuar. Ata shprehen se kudo ka turistë të cilët kanë larguar nga lagja grekët. Dhe e njëjta gjë vlen dhe për lagje të tjera që tashmë nuk ekzistojnë më.

Sipas zyrave që merren me shitblerje pronash apo dhënie me qera, për një grek aktualisht është një sipërmarrje më vete gjetja e një banese me qera. Nuk ka më shtëpi që jepen me qira sidomos në qendër të Athinës. Por ky nuk është një problem që prek vetëm kryeqytetin grek dhe zonat turistike, dhe në zona të tjera nuk ka apartamente në dispozicion por dhe ato pak që janë ofrojnë çmime të paarritshme.

Por jo të gjithë ndajnë  të njëjtin mendim. Në Greqinë e krizës ekonomike, për vite me rradhë apartamentet kanë qenë në hije, ndërsa tani kanë marrë vlerë të madhe monetare, dhe shumë grekë, për të mbijetuar kanë zgjedhur t’i kthejnë në mini–hotele. Janë disa apartamentet që janë blerë me një çmim të lirë vite më parë nga agjencitë imobiliare. Pas rikonstruksionit ato përdoren për qera afatshkurtra. Sipas agjencive imobiliare, në vitet e fundit çmimet e apartamenteve në shitje janë rritur deri në 80 për qind.

Pronarët e këtyre apartamenteve që jepen me qira ditore, shprehen se përveç të ardhurave personale, këto janë të ardhura dhe për shtetin, pasi turistët shpenzojnë në vend, por dhe për vetë taksat e larta që pronarët grekë janë të detyruar t’i paguajnë shtetit.