Kryesore Athina jep detajet: Për çfarë biseduan Rama dhe Mitsotakis

Athina jep detajet: Për çfarë biseduan Rama dhe Mitsotakis

Zyra e shtypit të kryeministrit grek bëri publike disa detaje nga darka mes Ramës dhe Mitsotakis mbrëmjen e të martës.

Marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri-Greqi si dhe perspektiva europiane e Shqipërisë kanë qenë në mënyrë të veçantë temë e bisedës mes dy kryeministrave.

Pjesë e diskutimit ka qenë mundësia për të thelluar marrëdhëniet tregtaro-ekonomike mes vendeve ndërsa nuk u lanë pas edhe bisedat për pakicën greke në vendin tonë por edhe integrimin e mijëra shqiptarëve në Greqi.

“Diskutim i veçantë u bë për Pakicën Kombëtare Greke në Shqipëri, e cila duhet të jetë një urë miqësie dhe bashkëpunimi midis dy popujve, ndërsa theksi u vu në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe ekonomike dhe tregtare. Rama e Mitsotakis shprehën kënaqësinë e tyre për integrimin e përkryer të qetë të qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Greqi”.

Sipas zyrës për media të kryeministrit grek, Rama dhe Mitsotakis u zotuan edhe për të zgjidhur në vazhdim, çështjet e pazgjidhura të së kaluarës.

“Në fund, ata ranë dakord të punojnë së bashku në mënyrë që të dy vendet të zgjidhin shpejt çështjet e pazgjidhura në të kaluarën në një kontekst dypalësh dhe të lëshojnë potencialin e madh që mund të krijojë marrëdhënia strategjike midis dy vendeve”.

Kryeministri Rama ndodhet në Athinë që nga e marta në mbrëmje në kuadër të një konferenca të përvitshme ekonomike.