Aktualitet Audio e Gardës për “21 Janarin”, Artan Hoxha: Berisha dhe Rama të...

Audio e Gardës për “21 Janarin”, Artan Hoxha: Berisha dhe Rama të përgjigjen kush e vrau Aleks Nikën e Hekuran Dedën

Gazetari Artan Hoxha ka hyrë në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë për të dorëzuar një material audio, ku pretendohet se kreu i Gardës, Ndrea Prendi urdhëron vartësit tij të qëllojnë mbi protestuesit, nëse thyejnë perimetrin e sigurisë, në protestën e 21 Janarit.

Para se të merrej në pyetje në Drejtorinë e Policisë Tiranë, gazetari Artan Hoxha ka dhënë një prononcim për mediat, ku është shprehur se i mbetet hetuesve për të vlerësuar nëse ky material audio do të konsiderohet një indicie që të çon drejt 1 prove, apo mund të kualifikohet si provë që do të çojë në zbardhjen e “21 Janarit”.

Hoxha theksoi se vrasjet e Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës janë ende pa autor.

Artan Hoxha: Duke ndjekur moton e Maks Haxhiajt që ka thënë në kohë dimri, ata që vijnë këtu do të vishen trashë, kështu që unë jam veshur me triko leshi, me pallto leshi, kështu që kam ndërmend që të qëndroj gjatë.

Çfarë ka qenë për t’u bërë publike deri tani e kam bërë, pjesa tjetër është çështje e hetimit dhe janë ata që e vlerësojnë nëse është një indicie që të çon drejt 1 prove, nëse mund të kualifikohet si provë, nëse mund të jetë si element i cili mund të ndihmojë grupin e hetimit për të shkuar tek provat që do të çojnë në zbardhjen e 21 Janarit.

Ajo që është fakt sot është se edhe 12 vite mbrapa, ne kemi 2 të vrarë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Hekuran Dedën dhe Aleks Nikën, të cilët janë ekzekutuar para kamerave, para syve të gjithë botës dhe janë pa autor dhe ajo që duhet të jepet përgjigje nga ish-kryeministri i kohës, i cili vazhdon me variantin e vjetër që “Garda ka zbatuar ligjin për përdorimin e armëve”.

Ajo që unë kam nxjerrë së fundmi dëshmon që Garda jo vetëm nuk ka zbatuar ligjin, por ka ekzekutuar qytetarë të pafajshëm të këtij vendi me urdhër dhe ka ekzekutuar qytetarë që jo vetëm që nuk kanë qenë në territorin e Kryeministrisë, por kanë qenë përtej trotuarit, kanë qenë në krahun tjetër tek Kullat. Aleks Nika është ekzekutuar tek Kullat, nuk ka qenë tek Kryeministria dhe as brenda në bulevard.

Përsa kohë këto vrasje janë pa autor dhe familja, 2 vajzat e Aleks Nikës janë rritur pa baba, nuk kanë një përgjigje, kryeministri i kohës Sali Berisha dhe kryeministri i sotëm Edi Rama duhet t’iu japin përgjigje atyre. Ajo që duhej të kishte marrë përgjigje me kohë është: Kush e ka vrarë Aleks Nikën?