Bota Australisë po i mbarojnë rezervat e ujit

Australisë po i mbarojnë rezervat e ujit

Australia po përballet me një thatësirë ekstreme dhe të rrallë, edhe pse dimri është në ditët e fundit. Autoritetet kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Sidnej, në qytetin më të populluar të vendit me mbi 5 milionë banorë, pasi niveli i ujit në rezervuarët e ujësjellësve është më poshtë se gjysma.

Dimri duhej të ishte sezoni i reshjeve të bollshme, por ato nuk kanë qenë të mjaftueshme. Ekspertët thonë se në kushte normale, rezervuarët ujorë duhej të kishin një sasi të mjaftueshme uji për t’i garantuar qytetit, furnizim me ujë për 2 vite. Nivelin më ekstrem e ka arritur ky rezervuar në Nju Sauth Uells ku niveli i ujit është 0.7%. 3 vite më parë në te njëjtën periudhë, rezerva ujore arrinte nivelin thuajse maksimal, siç duket në këtë paraqitje grafike. Ndikim në këtë situatë pati edhe vera me temperatura rekord që përjetoi Australia në fillim të këtij viti.

Administrata kombëtare amerikane për oqeanet dhe atmosferën njoftoi se korriku i këtij viti shënoi rekordet absolute në histori të të nxehtit duke e rritur me rreth 2 gradë temperaturën mesatare të 100 viteve të fundit në 15.7 gradë celsius, ku përllogaritet ajo mbi sipërfaqen e tokës por edhe mbi oqeane. Kjo bëri që akujt polarë të pësojnë një tkurrje rekord me 19.8%.