Bota Autograf mbi murin kufitar me Meksikën, Trump: Askush nuk kalon dot këtu

Autograf mbi murin kufitar me Meksikën, Trump: Askush nuk kalon dot këtu

Presidenti amerikan Donald Trump vendosi një pllakatë me autografin e tij në murin e ndërtuar në kufirin me Meksikën gjatë një vizite në Arizona të martën. Trump inspektoi punimet në qytezën kufitare Yuma.

Edhe pse temperatura ishte 42 gradë celsius, Trump ndaloi para murit për të deklaruar se ishte i pakalueshëm. “Është bërë me çelik dhe beton. Askush nuk kalon dot këtu”, tha ai.

Trump është zotuar të ndërtojë mbi 800 kilometra mur përgjatë kufirit me Meksikën deri në shkurt të vitit 2021 dhe pretendon se deri tani janë ndërtuar mbi 300 kilometra. Por “Washington Post” shkruan se vetëm 25 kilometra janë tërësisht të reja, pasi pjesa tjetër është përforcim i murit ekzistues.

Muri në kufirin me Meksikën pritet të jetë një prej pikave më të forta të fushatës së Trump për fitimin e mandatit të dytë, sikurse ishte edhe në vitin 2016, ku deklaroi se do të ndërtonte një mur dhe shpenzimet do t’i paguante qeveria meksikane.