Bota Automjetet gjermane rrezik për sigurinë kombëtare të SHBA?

Automjetet gjermane rrezik për sigurinë kombëtare të SHBA?

Automjetet gjermane rrezik për sigurinë kombëtare të SHBA?

Ka kohë që kërcënimi qëndron në ajër: Presidenti Donald Trump mund të vendosë dogana ndëshkuese për importet e automjeteve nga BE. Tani Ministria e Tregtisë së SHBA e dorëzoi raportin për cënimin e sigurisë kombëtare.

BE ashtu si Gjermania do të reagojë ndaj një ashpërsimi të mundshëm të grindjes tregtare me SHBA. “Bashkimi Europian do ta mbajë fjalën, për sa kohë e bën këtë edhe SHBA”, tha një zëdhënës i Komisionit Europian para gazetarëve. BE ka interes të përmirësojë marrëdhëniet tregtare me SHBA, por ajo do të reagojë, nëse presidenti Trump vendos dogana ndëshkuese. Qeveria gjermane u shpreh me të njëjtat tone. Ministria e Tregtisë së SHBA është e mendit, se importet e automjeteve nga Europa rrezikojnë sigurinë amerikane. Mbetet të pritet, se çfarë do të bëjë Trump me këtë, sipas një zëdhënësi të qeverisë amerikane. Nëse Trump vendos dogana të reja, Gjermania dhe do të përgjigjen së bashku.

Ministria Amerikane e Tregtisë i ka dorëzuar presidentit Trump raportin mbi kërcënimin e sigurisë amerikane nga importet e automjeteve. Një zëdhënëse e ministrisë ka thënë, se nuk do të publikohen detaje. Trump ka 90 ditë kohë, që mbi këtë bazë të vendosë, nëse do të ngrejë doganat deri në 25% për importet e automjeteve. Por nuk dihet, nëse do të ndërmerret ky hap nga presidenti amerikan. Realisht bëhet fjalë për shumë para- në vitin 2017 SHBA kanë importuar automjete dhe pjesë këmbimi në vlerë prej 340 miliardë dollarësh.

Kritikat shtohen

Vetë dega amerikane e industrisë së automjeteve është shprehur kundër doganave ndëshkuese, sepse ato do të ulnin në masë investimet në këtë degë. “Asnjë prodhues i kësaj dege në vend nuk e ka kërkuar një raport të tillë.” Automjetet e prodhuara jashtë SHBA do të shtrenjtoheshin me 5000 dollarë amerikanë, sipas informacioneve të konsulentit të informacionit, IHS Markit. Vetë automjetet e prodhuara në SHBA do të shtrenjtoheshin me 1800 dollarë, sepse të gjitha përmbajnë pjesë të importuara. Edhe tek politika amerikane plane të tilla ndeshin në kritika. Senatori republikan nga Ohio, Rob Portman u shpreh se “shpresoj që qeveria të lëvizë një hap mbrapa dhe t’i rimendojë edhe njëherë doganat për automjetet.”

Merkel: Fabrika më e madhe e BMW-së në SHBA

Shoqata e Industrisë së Automobilave, VDA u shpreh e shqetësuar dhe përmendi angazhimin e prodhuesve të automjeteve në SHBA. Vetëm dega gjermane e automjeteve ka siguruar rreth 113.000 vende pune në SHBA. Sipas institutit, Ifo doganat ndëshkuese afatgjata do të çonin rënien deri në 50% të eksporteve gjermane të automjeteve. Sipas Institutit humbja do të kompensohej, nëse Gjermania e BE do të reagonin me kundërmasa, pra po me dogana shtesë.

Kancelarja Merkel në Konferencën e Sigurisë në Mynih iu referua edhe njëherë fabrikave të mëdha gjermane në SHBA. Fabrika më e madhe e BMW-së nuk është në Gjermani, por në Karolinën e Jugut, tha Merkel, dhe nga atje automjetet dërgohen në Kinë. “Nëse këto automjete papritur janë një kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA, atëherë kjo na trondit”, tha Merkel. Të hënën (18.02) skadoi një afat i presidentit Trump për importet e automobilëve. Deri këtë ditë duhej që Ministria e Tregtisë të verifikonte, nëse importet e automjeteve cënojnë interesat e sigurisë kombëtare amerikane. Kjo do të ishte baza për vendosjen e doganave ndëshkuese./DW