Kulturë Ava Max rrëfen vështirësitë pasi familja e saj u zhvendos në Amerikë

Ava Max rrëfen vështirësitë pasi familja e saj u zhvendos në Amerikë

“E lindur me emrin Amanda Koci, vajza e emigrantëve shqiptarë që u arratisën në Amerikë në vitet ’90 dhe këngëtarja e re e çmuar, vendosi Ava Max si emrin e saj profesional kur ishte vetëm 13 vjeçe. Ajo zgjodhi ‘Ava’-n për të përfaqësuar anën femërore të personalitetit të saj dhe ‘Max’ për atë mashkullore. Ky ndjenjë e dualizmit është kthyer në një shenjë dalluese për të – e mishëruar te flokët e saj me prerje asimetrike: në njërën anë me stilin bob, në anën tjetër me flokët e gjatë”.

Nis kështu shkrimi kushtuar këngëtares me origjinë shqiptare në revistën “Phoenix”, ku Ava Max rrëfen si rrallëherë detaje nga e kaluara e saj.

A ndihesh e lidhur me origjinën tënde shqiptare?

Po! Me të vërtetë ndihem shqiptare! Jam me fat që kam ardhur nga një familje me gra shumë të forta. Nëna, tezja, gjyshja, gjithmonë u kanë thënë atë që kanë menduar bashkëshortëve të tyre. E kam parë këtë dhe e dashuroja ta shikoja teksa rritesha. Isha e bekuar. Por me muzikën time, shpresoj ta ndaj këtë me dikë që nuk mund ta ketë pasur në jetën e tij.

Si është të rritësh vajzën e emigrantëve shqiptarë në Amerikë?

Jam ndjerë e refuzuar për faktin që isha shqiptare. Ndihesha pak jashtë kornize kur jetoja në Karolinën e Jugut. Fillova të merrja mësim në shtëpi, sepse nuk më pëlqente shkolla e mesme. Shkova për një vit që ta provoja, sepse dëshiroja ta kaloja si eksperiencë shkollën e mesme. Thjesht nuk përshtatesha dot. Pastaj vendosa: ‘Nuk dua të përshtatem’. Mjaft jam përpjekur të përshtatem! Është si modeli i flokëve: kuptimi i kësaj prerjeje nuk ka të bëjë vetëm me modelin. Është në kuptimin që të bësh atë që do, mos të shkosh sipas trendeve.

Ava Max tregoi se ajo ka si shembull të gruas së fortë nënën e saj, e cila është një soprano.

Cila është këshilla më e mirë që ju ka dhënë ndonjëherë?

Është klishé, por ajo më mësoi se çdo gjë është e mundur. Mënyra sesi erdhi në Amerikë, nuk e dinte gjuhën, nuk kishte para. Nëna dhe babai im kishin nga tre punë secili. Unë nuk i shihja derisa bëra 10 vjeçe, jetoja me gjyshen time. Isha 10 vjeçe kur ata blenë shtëpinë e tyre të parë. Nuk i kam parë për një kohë të gjatë, kështu që kur kaloj kohë me ta, nuk e marrë kurrë si të mirëqenë. Pashë gjithë sfidën që ata kaluan, sepse jeta nuk është e drejtë. Në fund të ditës, jeta ka shumë vështirësi, vetëm nëse keni lindur në një familje të pasur, që nuk ishte rasti im. Ata më mësuan të ecja përpara dhe të mos hiqja dorë.