Kompania britanike e prodhimit të makinave luksoze, Rolls-Royce, ka fituar garën me disa kompani të tjera amerikane, duke siguruar një kontratë të majme me Forcat Ajrore Amerikane për prodhimin e motorëve të avionëve bombardues B-52. Marrëveshja do të mund t’i sigurojë Rolls-Royce deri në 2,6 miliardë dollarë.
Rolls-Royce fitoi garën kundër kompanisë që kishte kontratën e mëparshme, Pratt & Whitney, si dhe kundër General Electric, në një proces tenderimi që zgjati disa vite.
Fitorja e kësaj kontrate e rriti me 9% vlerën e aksioneve të kompanisë, shifra të nevojshme për Rolls-Royce, që gjithsesi nuk ka arritur akoma në shifrat e para pandemisë.
Motorët në fjalë, të quajtur F130, do të ndërtohen në fabrikën e Rolls-Royce në Indianapolis, do të zëvendësojnë motorët ekzistues të bombarduesve B-52. Forcat Ajrore Amerikane kanë planifikuar t’i mbajnë në shërbim këta avionë deri në vitin 2050. Në total, për rinovimin e tyre do të shpenzohen 11 miliardë dollarë.
B-52 është bombarduesi më i vjetër amerikan, që ka nisur të fluturojë gjatë Luftës së Ftohtë në vitet 1950, kur mbante edhe bomba bërthamore. Misioni i fundit në të cilin është përdorur avioni është tërheqja e trupave amerikane nga Afganistani.
Rolls-Royce ka investuar 600 milionë dollarë në fabrikën e saj në Indianapolis, ku do të prodhohen 650 motorë. Nga kjo kontratë do të krijohen edhe 150 vende të reja pune.