Bota Avioni me 226 pasagjerë përplaset me pulëbardhat, përfundon në fushën me misra...

Avioni me 226 pasagjerë përplaset me pulëbardhat, përfundon në fushën me misra (FOTO)

Një avion civil rus përfundoi në një fushë me misra pasi u fut në një tufë zogjsh pak kilometra në periferi të Moskës.

Agjencia Shtetërore e Lajmeve, TASS, raporton se avioni i “Ural Airlines” Airubus A321, me 226 pasagjerë në bord dhe 7 pjesëtarë të ekuipazhit ishte nisur nga aeroporti “Zhukovsky i Moskës për në Simferopol, një qytet në gadishullin e Krimesë.

Pak minuta pas ngritjes në ajër, avioni u gjend përpara një tufe pulëbardhash, disa prej të cilave përfunduan në motorët e tij, duke bërë që të kryejë zbritje të detyruar.

Fatmirësisht nuk raportohet për asnjë viktimë, por 23 persona, mes tyre edhe 5 fëmijë, janë shtruar në spital për mjekime.

Në maj, të paktën 41 vetë brenda një avioni rus Aeroflot SU1492 humben jetën pasi ai u rrëzua në një aeroport duke marrë flakë. Ndërsa në qershor, dy pasagjerë humbën jetën pasi një tjetër avion mori flakë ndërsa po udhëtonte për në Siberi.