Aktualitet Avioni privat i bosit malazez të drogës më 10 janar 2019 fluturoi...

Avioni privat i bosit malazez të drogës më 10 janar 2019 fluturoi nga Shqipëria në Gjenevë, pastaj në Basel

Malazezi Michael Dokovich dyshohet të ketë trafikuar drogë nga Amerika Latine në Europë dhe kontinente të tjera. Një avion i shfrytëzuar prej tij më 10 janar 2019 fluturoi nga Shqipëria në Gjenevë, pastaj në Basel, shkruan gazeta zvicerane “Tages Anzeiger”. Dokovich, i cili prezantohet si pronar hoteli në Tuz, u arrestua në maj në një garazh në Basel të Zvicrës – me 600 kilogramë kokainë.

Më 16 maj 2019 hetuesit e drogës rrethuan një automjet transporti, i cili ishte parkuar në garazhin nëntokësor të një kazinoje në Basel të Zvicrës. Më parë hetuesit ishin paralajmëruar mbi arritjen e një sasie të konsiderueshme të drogës në aeroportin Basel-Mulhouse. Deri aty droga ishte transportuar me një avion privat.

Hetuesit nuk kishin llogaritur se në automjetin e markës “Ford Transit” gjendej edhe vetë bosi i drogës: Michael Dokovich, një malazez me të kaluar të dyshimtë. Bashkë me të në garazh ndodheshin edhe një pilot dhe një ekspert i informatikës. Në bagazhin e automjetit hetuesit gjetën 21 valixhe me drogë, në tërësi 600 kilogramë kokainë. Ky është deri më tani konfiskimi më i madh i drogës në territorin e Zvicrës.

Koloneli i xhandarmërisë franceze François Després i tha gazetës zvicerane “Tages Anzeiger” se arrestimi i malazezit 60-vjeçar ishte një “befasi e këndshme”. Arrestimi i Dokovich u bë edhe me ndihmën e autoriteteve çeke dhe kroate.

Hulumtimet e European Investigative Collaboration (EIC) tregojnë se si funksionon “modeli i biznesit” i Michael Dokovich. Në fund të vitit 2017 hetuesit filluan operacionin “Familia”. Atëbotë në kufirin kroato-slloven afër Zagrebit doganierët zbuluan një milion euro në një Mercedes. Në veturë ishte e dashura e Michael Dokovich. Hetuesit konfiskuan paratë, ndërsa të dashurën e Dokovich e lanë të lirë, por filluan ta përgjojnë. Në telefonatat me të dashurën, malazezi lavdërohej se si viteve të fundit shumë herë ka organizuar transporte të ngjashme të parave.

Në vitin 2017 Dokovich nuk fshihej. Në Facebook ai postonte fotografi si pronar i një hoteli në Tuz të Malit të Zi, afër kufirit me Shqipërinë. Sipas hetuesve ai merrej me tregti me drogë nga banesa e tij në Zagreb. Këtë e bënte me disa pseudonime. Emri i tij i vërtetë mendohet të jetë Ilmija Frljuckic. Pjesëtar i bandës së tij është edhe një polic kroat, i cili e furnizonte me informata dhe i ndihmonte të krijojë identitete të rrejshme. Dokovich ishte pasuruar në SHBA, ku banda e tij vodhi kodet e 20 mijë klientëve të bankave. Pas arrestimit të ndihmësve të tij, Dokovich iku në Europë, ku dyshohet se ndërtoi një rrjet me shtrirje të gjerë dhe u mor me trafikimin e drogës. Rrjeti i tij shtrihet deri në Hongkong, ku policia në prill të këtij viti konfiskoi 421 kilogramë kokainë. Droga ishte paraparë të transportohej në Australi, shkruan “Tages Anzeiger”.

Dora e djathtë e Dokovich është Petro “Pjer” Sarac (Sharac). Ky i fundit krijoi kontakte në Amerikën Latine dhe solli në Zagreb edhe kriminelë nga Kosta Rika. Sipas hetuesve tregtarët e mëdhenj të drogës në Ballkan po lidhen direkt me bandat në Amerikën Latine – kjo është risi në veprimtarinë e tyre. “Këto grupe nga Ballkani perëndimor po përpiqen të veprojnë ngjashëm si italianët dhe nigerianët para tyre”, tha një polic zviceran. “Ata janë direkt të pranishëm në Amerikën Latine – me gjasë për të negociuar apo për të organizuar transportin”. Sipas hetuesve grupet serbe, malazeze dhe shqiptare janë shndërruar në fuqi në rritje në tregtinë me kokainë.

Ndonëse shumica e drogës nga Amerika Latine vjen në Europë me kontejnerë, Michael Dokovich zgjodhi metodën më të shpejtë për të shpërndarë mallin e tij: avionët privatë. Në fillim të vitit 2019 ai themeloi kompaninë ajrore “MD Global Jet”. Për t’u dukur kompani serioze, ai punësoi pilotë çekë, të cilët transportonin pasagjerë VIP.

Sa shpesh Dokovich ka shfrytëzuar avionët e tij, tregojnë lëvizjet e një “Gulfstream V” me kodin “M-FISH”. Me këtë avion Dokovich kishte sjellë nmë 16 maj 2019 kokainën në Basel. Këtë e konfirmon një vendim gjyqësor në Zvicër. Që nga viti 2016 avioni “Gulfstream V” me kodin “M-FISH” aterroi mbi dhjetë herë në Zvicër. Më 10 janar 2019 ky avion fluturoi nga Shqipëria në Gjenevë, pastaj aterroi në Basel, shkruan “Tages Anzeiger”.

Mes tetorit të vitit 2018 dhe marsit të vitit 2019 ky avion privat fluturoi katër herë në Amerikën Latine. Sipas vendimit gjyqësor zviceran qëllimi i tri fluturimeve ishte tregtia me kokainë. Dokovich dhe ndihmësit e tij pritet të ekstradohen në Kroaci. Ankesat e tyre janë refuzuar nga drejtësia zvicerane./dialogplus.ch