Aktualitet Avokati i Çilit tregon detaje nga ndalimi: Pse Prokuroria e Përmetit u...

Avokati i Çilit tregon detaje nga ndalimi: Pse Prokuroria e Përmetit u nxitua

Avokati i botuesit Henri Çili, Andi Duraj ka treguar detaje nga ndalimi i klientit të tij, duke e cilësuar veprim të paligjshëm.

Në një prononcim për gazetaren e “News24” Brikena Metaj, Duraj tregoi se Çili është shoqëruar në policinë e Gjirokastrës në orën 22:00 të mbrëmjes së 27 shkurtit, rrugës duke shkuar për në shtëpi.

Sipas avokatit, Çili është mbajtur abuzivisht në komisariat, duke argumentuar se urdhri i ndalimit është prerë dje në orën 8:15.

Sipas tij, deri tani prokuroria nuk ka zbatuar procedurën e marrjes në pyetje, pavarësisht gatishmërisë së tij për të dhënë shpjegime.

Po ashtu avokati Duraj sqaroi se klienti i tij nuk është pyetur me procesverbal, ndërkohë që ka mohuar kategorikisht akuzat.

“Prokuroria e Përmetit është nxituar se nuk ka as juridiksion, as kompetencë për ndalimin e Çilit. Materialet nga policia ende nuk i kanë shkuar prokurorisë së Përmetit. Për këtë arsye masa e arrestit për nesër është e pamundur të jepet. Afati përfundimtar është 96 orë”, tha avokati Duraj.

Çili: Do të provoj pafajësinë

Vetë botuesi dhe gazetari Henri Çili ka mohuar akuzat se ka ndërhyrë në Gjykatën e Lartë për uljen e dënimit ndaj Arbion Alikos, personit që akuzohet për vrasjen e efektivit të RENEA-s, 5 vite më parë, gjatë operacionit antikanabis në Lazarat.

Çili u ka thënë oficerëve të Policisë Gjyqësore të Gjirokastrës se nuk ka lidhje me këtë histori.

Sipas pronarit të universitetit privat, akuzat janë të manipuluara dhe së shpejti do të provojë pafajësinë. Çili u ka thënë hetuesve se nuk ka dijeni për 700 mijë eurot apo apartamentet në Velipojë, të përmendura në hetime, si premtim i ndërtuesit Adil Aliko për shpëtimin e djalit nga burgimi i përjetshëm.