Kryesore Avokati i Ylli Ndroqit: Do ankimojmë vendimin e SPAK, sulm politik

Avokati i Ylli Ndroqit: Do ankimojmë vendimin e SPAK, sulm politik

Brenda 5 ditëve presidenti i Yldon Media Group, Ylli Ndroqi do të ankimojë vendimin Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e cila vendosi sekuestro të pasurive në ngarkim të tij dhe familjarëve.

Në një prononcim për median, avokatët e zotit Ndroqi shprehen të bindur se në shkallët më të larta gjyqësore do të vërtetohet që pasuria e Ndroqit është vënë në mënyrë ligjore dhe jo siç pretendon SPAK.

Avokatët e quajnë presion politik vendosjen e sekuestros dhe mohojnë që Ndroqi është shoqëruar në polici pasi ndaj tij nuk ka asnjë urdhër arrest.

“Ka qenë duke udhëtuar me makinën e tij, kanë shkuar forcat operacionale për të marrë Mercedezin me të cilën po udhëtonte. Z. Ndroqi ka kërkuar që ta shoqërojë vetë makinën dhe t’i bëjnë të ditur pse po i kërkojnë makinën. Kemi ardhur në drejtorinë e policisë së Tiranës dhe na është komunikuar një vendim për vendosje të sekuestros pas një hetimi pasuror për z. Ndroqi. Ai nuk është as i ndaluar as i shoqëruar. Vetëm ka shoqëruar Mercedezin e tij dhe na është dhënë në dorë vendimi i SPAK-ut. Në afat 5-ditor do ta ankimojmë në Apel të SPAPK-ut”, tha avokati Alban Qafa.

Avokatët deklarojnë se pasuria e Ndroqit ka burime të ligjshme.

“Pasuria e z. Ndroqi është e krijuar nga burime të ligjshme dhe këtë do ta provojë në të gjitha shkallët e Apelit. Pasuria është krijuar nga aktiviteti i shoqërive të tij dhe nga kreditë bankare. Ai mendon se është një sulm politik, për shkak të gjyqit tjetër që po zhvillohet me kryetarin e bashkisë Tiranë, Erion Veliaj. Në vazhdim do të tregojmë se si do të vazhdojnë ngjarjet.”