Aktualitet Azili në Francë, kërkohet heqja e Shqipërisë nga lista e vendeve të...

Azili në Francë, kërkohet heqja e Shqipërisë nga lista e vendeve të sigurta

Shqipëria dhe dy vende të Afrikës Perëndimore janë propozuar për t’u hequr nga lista e vendeve të sigurta të origjinës nga OJF-ja më e madhe për mbrojtjen e të drejtave të refugjatëve në Francë.

Forumi i refugjatëve – Cosi, një shoqatë jofitimprurëse që punon për pritjen e refugjatëve, mbrojtjen e së drejtës së azilit dhe promovimin e shtetit të së drejtës, i ka kërkuar Këshillit të Shtetit, një organ që vepron si gjykatë supreme për drejtësi administrative, largimin e tre vendeve nga lista e vendeve të sigurta të origjinës.

Shqipëria, Bénini dhe Senagali, këto dy të fundit vende frëngjishtfolëse në Afrikën Perëndimore, sipas Forumit të Refugjatëve kanë një realitet që nuk përputhet me atë që parashikon ligji francez për azilin.

Me anë të një ankese, Forumi i Refugjatëve kërkon ndryshimin e vendimit të 6 nëntorit të vitit të kaluar, duke hequr tre vendet e mësipërme.

Ndër arsyet që sipas Forumit të Refugjatëve përbëjnë shkak për të mos e konsideruar Shqipërinë vend të sigurt origjine janë: trafikimi i qenieve njerëzore dhe mungesa e pavarësisë së gjyqësorit, që sjell si pasojë pamundësinë për të luftuar përndjekjen e qytetarëve brenda vendit.

“Në Shqipëri, disa raporte nga Kombet e Bashkuara dhe organizata joqeveritare flasin për një situatë shqetësuese në lidhje me trafikimin e qenieve njerëzore, dhe kanë vërejtur një mungesë të pavarësisë së gjyqësorit, e cila po lufton në mënyrë efektive për të mbrojtur viktimat e përndjekjes. Në 2018 (të dhënat e fundit në dispozicion), autoritetet franceze të azilit morën 1,080 vendime për dhënien e mbrojtjes së azilit për shqiptarët, bazuar në veçanti në dhunën në familje, orientimin seksual dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Shqipëria është kështu në vendin e nëntë për sa i përket numrit të urdhrave për mbrojtje: Prandaj, si mund të konsiderohet në mënyrë të arsyeshme që “nuk ka pasur kurrë përndjekje”, siç kërkohet nga përkufizimi i “vendeve të sigurta të origjinës”? Duhet gjithashtu të theksohet se Franca shprehu në tetor 2019 kundërshtimin e saj për pranimin e vendit në Bashkimin Evropian”, thuhet në kërkesën e Forumit të Refugjatëve.