Në një situatë kur bota është duke u përballur me një pandemi të rrezikshme që u ka marrë jetën më shumë se një milion personave dhe teoritë konspirative për koronavirusin janë të shumta, edhe interesi për parashikimet e bullgares së njohur me nofkën “Baba Vanga” është shtuar ndjeshëm.
Ajo humbi shikimin në moshën 12-vjeçare dhe pretendoi se në të njëjtën kohë Zoti i dha aftësinë që të shikonte të ardhmen. Baba Vanga ka parashikuar se universi do të shkatërrohet në vitin 5079, ndërkohë që ka folur edhe për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, apo vdekjen e Princeshës Diana.
Por para se të kalojmë te parashikimet për Vitin e Ri 2021, i hedhim një sy atyre që ishin parashikuar për këtë vit dhe çfarë është realizuar.
“Presidenti i SHBA, Donald Trump do të vuajë nga një sëmundje vdekjeprurëse në vitin 2020 dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin do t’i mbijetojë një atentati. Ndërsa Europa do të përballet me një sulm kimik nga ekstremistët myslimanë”.
Nga të tre këto parashikime, vetëm ai për Donald Trump u “afrua më shumë”, duke qenë se Presidenti amerikan kaloi koronavirusin, duke qëndruar disa ditë në spital.
Ndërkohë, për vitin 2021 Baba Vanga ka parashikuar: “Bota do të pësojë katastrofa, ndërsa një “dragua” i fortë do të kapë njerëzimin. Shumë e kanë interpretuar “dragoin” si një mbizotërim të Kinës në botë.
Parashikimi pozitiv është se në vitin 2021 do të gjendet një kurë për kancerin. “Do të vijë dita kur kanceri do të lidhet me zinxhirë hekuri”, ka parashikuar ajo.
Baba Vanga është bërë një figurë kulti midis atyre që besojnë në teoritë e komplotit, pasi disa nga parashikimet e saj dolën të vërteta, duke renditur këtu dhe atë të sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Edhe pse ajo vdiq në 1996, parashikimet e saj shkojnë deri në vitin 5079. Ajo njihej gjithashtu si “Nostradamusi i Ballkanit”.