Aktualitet Babai i efektivit të vrarë të FNSH hedh dyshime mbi konfliktin e...

Babai i efektivit të vrarë të FNSH hedh dyshime mbi konfliktin e dy viteve më parë në Lezhë

Pas vrasjes në orët e para të kësaj të shtune te efektivit të FNSH-së, Xhuljo Prela 26-vjeç në një atentat që duket të jetë i mirëorganizuar, referuar skemës se si ka ndodhur ngjarja, flet për “Neës 24” babai i të ndjerit.

Martin Prela, babai i Xhuljos kërkon me ngulm zbardhjen e ngjarjes dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë në një intervistë me gazetaren Dorjana Bezat.

I ati hedh dritë mbi një konflikt të djalit të tij para dy vitesh për shkak të detyrës, ndërsa shton se pikërisht për shkak të këtij problemi edhe ka kërkuar transferim në Shkodër.

“Lajmin e mora në 5 të mëngjesit nga nipi im. Më thanë ka bërë aksident nuk ma treguan të vërtetën. Pastaj kur u afruam më thanë që e kanë vrarë. Me djalin hëngrëm darkë, ishte i qetë. U zgjua herët e iku në Rinas mori një mikun e tij që vinte nga jashtë dhe e çoi në Shkodër. Kur u kthye për të ardhur në shtëpi ndodhi ngjarja. Jam i tronditur. Nuk e di nga se ka ardhur. Nuk kemi konflikte dhe as gjak me njeri.

Djali ishte i fejuar. Ndoshta konfliktet janë të punës. Më ka thënë se para dy vitesh ka pasur një përplasje me dikë në Lezhë, sepse djali ka zbatuar ligjin. Nga kjo kërkoi transferim në Shkodër. Mbase është ky konflikt, nuk e di. I bëj apel policisë ta zbardhë ngjarjen. Ta gjej kush ma vrau. Ai nuk ngjallet më, por është një lloj lehtësimi për mua”,- shprehet babai i Xhuljo Prelës.