Extra Babai i Jeff Bezos, emigranti nga Kuba që nuk dinte asnjë fjalë...

Babai i Jeff Bezos, emigranti nga Kuba që nuk dinte asnjë fjalë anglisht

Dikur emigrant me ëndërr amerikane, ndërsa sot Mike Bezos është babai i njeriut më të pasur në botë Jeff Bezos.

Në vitin 1962, Mike shkoi si emigrant në Amerikë nga Kuba, i veshur me një xhaketë që nëna e tij ja kishte qepur me dorë duke i bashkuar disa copa bashkë. Ishte thjesht një djalë i ri që udhëtonte vetëm dhe nuk dinte asnjë fjalë anglisht.

Kur mbërriti në Amerikë, në moshën 16-vjeçare, jo vetëm që i mungonte familja, por fliste vetëm spanjisht dhe nuk e kishte idenë se si do të mbijetonte. Por zemërimi për jetën e mjerueshme në Kubë, vendosmëria dhe optimizmi i tij bënë që t’ia dilte. Në fakt ky është statusi i hershëm në Twitter i Jeff Bezos për babanë e tij, për t’u kujtuar njerëzve që gjithçka mund të arrihet.

Mike Bezos nuk është babai biologjik i Jeff, por ai e rriti. Nëna e Jeff, Jacklyn Gise u nda në 1965-ën nga burri i saj i parë dhe u martua në 1968-ën me Mike Bezos, i cili filloi punë si inxhinier në Teksas.

Babai i Jeff qëndroi për herë të parë në kampin Matecumbe, një kamp refugjatësh në Florida, për tre javë. Më vonë u dërgua në Wilmington, Delaware për të ndjekur shkollën e mesme, ku mori një bursë për të ndjekur më pas kolegjin në Albuquerque.