Sport Babai i Piatek: Kris nuk dëshiron të bëjë rezervën

Babai i Piatek: Kris nuk dëshiron të bëjë rezervën

Krzysztof Piatek është një botë e përmbysur brenda 12 muajve. Me të mbërritur në Milano, më 23 janar 2019, për t’u bërë aty bomberi i së tashmes dhe së ardhmes së kuqezinjve, sulmuesi polak e gjen veten sot në një situatë të vështirë. Një situatë që një vit më parë do të ishte gati e pamundur të imagjinohej. Pas një viti jo saktësisht tërheqës (vetëm 4 gola ka shënuar deri më tani, në 18 ndeshje të Serie A, këtë sezon), numri 9 i Milanit ka humbur pozitat në mënyrë progresive në hierarkitë e Stefano Piolit.

Rikthimi sensacional i Zlatan Ibrahimovic nën hijen e “Duomo” e ka “çertifikuar” përfundimisht polakun në rolin e rezervës luksoze. Piatek është ulur në pankinë në dy ndeshjet e fundit, kundër Cagliari dhe Udinese, çka mund të çojë në vendime të rëndësishme gjatë javës së fundit të merkatos. Babai i sulmuesit të Milanit, Wladyslaw, duke folur për “Sportowefakty” në Poloni, nuk e ka fshehur zhgënjimin e djalit të tij për situatën delikate ku ndodhet, në një vit që korespondon, ndër të tjera, me finalet e “Euro 2020”.

Ai tha: “Kris nuk dëshiron të bëjë rezervën, ai do të jetë në formë për kampionatin Europian dhe, nëse nuk mund të luajë te Milani, me kënaqësi do ta bëjë diku tjetër. Është e vështirë të thuash cilat janë planet e klubit, ka lojtarë të spikatur si Piatek, Suso, Paquetà dhe Calhanoglu, që janë në treg. Klubi kërkon para të freskëta për lojtarë të rinj. Shumë klube po e kërkojnë Kris në formë huazimi, por Milani synon ta shesë atë për një shumë të ngjashme me atë që e ka blerë. Unë mendoj se të gjithë presin javën tjetër, kur do të vendoset e ardhmja e tij”.

Milani, pra, rrezikon të gjendet nën presionin e zgjidhjes medoemos të një çështjeje tjetër, pas asaj që tashmë ka shpërthyer me Paquetà. Mesfushori kuqezi nga Brazili nuk po gjen hapësira dhe ka kërkuar që të largohet. Dy fate të ngjashme për dy lojtarë, që vetëm një vit më parë bënë të ëndërrojnë tifozët e Milanit, u panë si dy shtyllat e reja të ekipit kuqezi, prej nga do të fillonte rindërtimi i tij.