Aktualitet Babai i Roan Brahimit u vra në lokalin e tij, dyshohet për...

Babai i Roan Brahimit u vra në lokalin e tij, dyshohet për 4 autorë, u larguan me “Porsche”

Detaje të reja janë zbardhur lidhur me vrasjen e ndodhur mbrëmjen e sotme në Lezhë ku viktimë mbeti Gjovalin Prendi.

Dyshohet se në atentat kanë qenë të përfshirë dy automjete dhe të paktën katër persona, të moshës 30-35 vjeç.

Autorët dyshohet se lëviznin me një automjet tip “Porsche Cayenne” dhe kanë qëlluar drejt 64-vjeçarit.

Më pas ata janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja së bashku me mjetin tjetër që i shoqëronte.

Në momentin e sulmit, Gjovalin Prendi ndodhej në lokal së bashku me një person tjetër, i cili fatmirësisht nuk është prekur nga plumbat.

Të dy mjetet janë afruar nga hyrja kryesore e lokalit dhe nga dera hyrëse është hapur zjarr në drejtim të tavolinës ku qëndronte viktima.

64-vjeçari kishte hapur lokalin e tij që ndodhet pranë kryqëzimit të Urës së Milotit dhe segmentit të vjetër drejt Rubikut, pa e ditur se aty do të ndodhte atentati fatal.

Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Kujtojmë se Gjovalin Prendi është babai i Sidorel Prendit, i njohur edhe si Roan Brahimi, i ekzekutuar 1 vit më parë në Athinë.