Kryesore “Babalja”, Alizoti dekonspiron Salianjin: Ne jemi takuar tek PD, hap kamerat

“Babalja”, Alizoti dekonspiron Salianjin: Ne jemi takuar tek PD, hap kamerat

Gjykata e Tiranës po zhvillon këtë të mërkurë seancën e radhës të çështjes “Babale”. Në sallën e gjyqit ishte prezent edhe ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji, i cili u vu përballë Fredi Alizotit. Ky i fundit ka deklaruar se ish-deputeti i ka dhënë 200 mijë lekët të vjetra atij dhe Albert Veliut.

Alizoti: Ti na dhe 200 mijë lekë të vjetra në Tiranë bashkë me Albert Veliun.

Salianji: Unë nuk jam takuar asnjëherë dhe as me persona të SHISH-it nuk jam takuar asnjëherë.

Alizoti: Ne jemi takuar tek PD hap kamerat.

Më parë, gjykata ndërpreu për disa minuta seancën. Shkak u bënë debatet e ashpra mes Ervin Salianjit dhe avokatit të Agron Xhafajt, Ardjan Visha. Ndërkohë, gazetari Jetmir Olldashi nuk ka pranuar të shkojë në sallën e gjyqit dhe deklaratën e tij do ta japë nëpërmjet avokatit.

Në deklaratën e tij, ish-deputeti Salianji ka thënë se PD ka pasur informacione të vazhdueshme se vëllai i ish-ministrit Xhafaj, Agron Xhafaj, ishte i përfshirë në trafik droge.

“Geron Xhafa ishte i dënuar në itali me 7 vite burgim. Lëvizte i lirë. Mora këtë material nga gazetari Jetmir Olldashi, dhe më pas nga Albert Veliu që nuk e njihja më përpara. Olldashi më tha që po bëj investigim të madh në Tetor të 2017-s. Jetmiri me solli një material ku thuhej se vëllai i ish-ministrit Xhafa i favorizuar nga i vëllai kryente trafikun e drogës. Lidhja kryhej nga një person me emrin Ermal që ishte punonjës policie. Ky person do të bënte trafikimin e drogës drejt Italisë”, ka deklaruar Salianji.

Ndër të tjera, ish-deputeti ka deklaruar se Albert Veliu i ka thënë që ka qenë në rrezik për jetën, ndërsa prokuroria nuk e ka marrë qëllimisht materialin bruto për të shpëtuar Geron Xhafën.

“Veliu me ka thënë se jam në risk për jetën dhe ai më ka thënë se për çdo kontakt që bënte me punonjës të institucioneve shtetërore. Nuk kam pasur dyshime se zëri është i Agron Xhafajt dhe këtë e ka faktuar ekspertiza duke thënë se është i ngjashëm”, tha Salianji.

“Prokuroria nuk e ka marrë qëllimisht materialin bruto për të shpëtuar Geron Xhafën. Dua të bëj një kallëzim për dëshmi të rreme të shtetasve Albert Nushi dhe Albert Veliu”, tha Salianji.