Aktualitet Babë e bir dënohen me 37 vite burg për vrasjen e kryer...

Babë e bir dënohen me 37 vite burg për vrasjen e kryer në 2018-ën

Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër dënoi me 37 vjet burg gjithsej, Et’hem dhe Dino Muhajn, të akuzuar për vrasjen e Alket Muhajt, më 6 shtator të vitit 2018, në fshatin Rabije në Memaliaj.

Vendimi është dhënë nga kryesuesja e seancës gjyqësore Blerta Çibuku, e cila i dha fund maratonës trevjeçare gjyqësore në ngarkim të personave të mësipërm.

Gjykatësja Çibuku ka dhënë 20 vjet burgim për Et’hem Muhajn dhe 17 vjet burgim për të birin e tij, Dino Muhaj.

Alket Muhaj u vra pasi denoncoi mbjelljet e drogës në fshatrat e Memaliajt.

Seanca e fundit gjyqësore është mbajtur nën masa të rrepta sigurie duke parë se prezentë në dhënien e vendimit kanë qenë familjarë dhe të afërm nga të dyja familjet.

Në pretencën e tij, prokurori i çështjes Julijan Cafka, pati kërkuar nga 23 vjet burg për Et’hem dhe Dino Muhajn për kryerjen e vrasjes me paramendim të kryer në bashkëpunim, nga 6 vjet burg për secilin për armëmbajtje pa leje dhe municione, si dhe nga 1 vit burg për mbajtje dhe prodhimit pa leje të armëve sportive dhe municioneve, ku në total shkon nga 30 vjet burg për secilin.

Por me aplikimin e nenit 55/1 të Kodit Penal për caktimin e një dënimi të vetëm Prokuroria e Gjirokastrës kërkoi nga 27 vite burgim për Et’hem dhe Dino Muhajn. Pas shqyrtimit të të dhënave nga prokuroria dhe fjalës së mbrojtjes për të pandehurit, gjykatësja e çështjes, Blerta Çibuku, ka dhënë vendimin final për këtë ngjarje që tronditi në shtator të 2018 fshatin Rabije dhe mbarë zonën.