Sport Bajerni ka humbur dominimin, del në skenë emri i Zidane si pasues...

Bajerni ka humbur dominimin, del në skenë emri i Zidane si pasues i Nagelsman

Një emër i madh si Zinedine Zidane te Bajern Mynih? Zëra që qarkullojnë pikërisht në momentin që bavarezët janë në vështirësi, ende të pritje të fitores së parë për 2023-shin.

Janë tri barazime radhazi, me Lajpcigun, Këlnin dhe së fundi me Eintrahtin e Frankfurtit, që të gjithë me rezultatin 1-1. Bajerni ka vetëm 1 pikë prapa Union Berlinin, 2 pikë Lajpcigun dhe 3 pikë Frajburgun. Nuk po dominon si zakonisht, në 18 ndeshje skuadra e Nagelsmann ka fituar vetëm 10.

Dhe në këtë situatë dikush ka vënë në dyshim të ardhmen e trajnerit, duke folur edhe me emra për zëvendësuesit e mundshëm, si Zinedine Zidane për shembull.

Sipas ‘Rmc Sport’, Bajerni po mendon që sezonin e ri të ketë në stol francezin Zidane, pa skuadër që në verën e 2021-shit, kur la Real Madridin. Në 2015-ën Zidane bëri një praktikë te Bajern Mynih dhe u impresionua nga organizimi i lartë profesional i qendrës sportive. Ka një vlerësim reciprok nga të dyja palët dhe bashkëpunimi është i mundur.

‘Rmc’ bën me dije se Zidane është në kontakte edhe me Realin, PSG-në dhe Juventusin. Në këtë moment Bajerni nuk mund të ndahet me Nagelsmann, për të cilin pagoi 20 milionë eruo që ta merrte nga Lajpcigu. Vetëm nëse dështon totalisht këtë sezon drejtuesit e klubit mund të vendosin për një ndryshim të shpejtë. Zidane gjithsesi mbetet një propozim i bukur.