Politika Balla: Listat do jenë 100% të hapura, opozita të lërë shantazhet

Balla: Listat do jenë 100% të hapura, opozita të lërë shantazhet

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Balla, ka thënë mbrëmjen e sotme se listat në zgjedhjet e ardhshme do jenë 100 për qind të hapura.

Ai shkruan se qytetarët do kenë mundësinë të zgjedhin kandidatët sipas parapëlqimit të tyre.

Sipas Ballës, për sa u përket koalicioneve Shqipëria po zbaton atë që ndodh në vende si Austria, Kroacia, Suedia e Çekia.

“Lista e kandidatëve të partisë apo të koalicionit zgjedhor do të jetë 100% E HAPUR. Të gjithë kandidatët në listë i nënshtrohen votimit parapëlqyes nga zgjedhësit. Çdo zgjedhës ka të drejtën që krahas partisë apo koalicionit zgjedhor të vendosë shenjën edhe tek emri i një kandidati/kandidateje të preferuar. U jepet e drejta zgjedhësve që të ndryshojnë renditjen e kandidatëve dhe respektivisht ndarjen e mandateve duke vlerësuar ata kandidatë që demonstrojnë që gëzojnë një mbështetje të madhe, edhe mbi vet renditjen e partisë që i propozon. Një parim i tillë aplikohet në një sërë vendesh me sistem të ngjashëm elektoral ku zgjedhësit kanë të drejtë të ri-rëndisin kandidatët e rrjedhimisht mandatet e fituara elektorale. Në vëmendje mund të sjellim shembujt e Austrisë, Kroacisë, Republikës Çeke, Suedisë.” – shkruan Balla.

Ai shton më tej në mesazhin e tij se nuk ka sisteme elektorale perfekte ndërsa fton opozitën për votimin e Kodit Zgjedhor duke harruar shantazhet, akuzat e blofet.

“Nuk ka sisteme elektorale perfekte dhe as sisteme elektorale qe u japin pakicave fitoren ne tavoline nuk janë shpikur akoma! Prandaj është koha per ta votuar Kodin Zgjedhor duke diskutuar intensivisht mes palëve dhe duke i harruar shantazhet, akuzat dhe bllofet! Zgjedhjet e 25 prillit po afrojnë dhe ne s’mund të presim gjatë për votimin e risive që reflektojnë ndryshimet kushtetuese”, mbyll reagimin e tij numri dy i PS-së.