Politika Balla: Metës i dhamë hakun, por nuk e dinim se do bëhej...

Balla: Metës i dhamë hakun, por nuk e dinim se do bëhej si Veri që u nxjerr gjuhën njerëzve

Ka nisur sot dita e dytë e Kongresit të Partisë Socialiste.

Hapjen e Kongresit e bëri kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili gjatë fjalës së tij i është përgjigjur kritikëve socialistë, që sipas tij pyesin se përse bashkëpunuan me LSI dhe përse zgjodhën në krye të presidencës Ilir Metën.

Balla nuk i ka kursyer ironitë në drejtim të kreut të shtetit, kur tha se nuk e dinin dhe nuk e parashikonin dot se “Ilir Meta do të katandisej si Veri që u nxjerr gjuhën njerëzve tek kryqëzimi i 21-ishit”.

“Ka disa që na kritikojnë për koalicionin me LSI në mandatin tonë të parë dhe se përse zgjodhëm Ilir Metën si President. Këtyre kritikëve u themi se nuk jetuam për zgjedhjet e ardhshme në mandatin e parë, nuk shitëm qëllimet dhe nuk bëmë asnjë pazar për objektivat.

Bëmë punë të mira në atë koalicion dhe Metës i dhamë thjeshtë dhe vetëm hakun si pjesë e koalicioni, pasi Presidentin vetë me votat tona ne nuk mund ta zgjidhnim. Dhe si më i miri në lëmin dhe fushën e opozitës, ne zgjodhëm Ilir Metën…

Ne nuk e parashikonim dot dhe askush nuk e dinte se do të katandisej si Veri që u nxjerr gjuhën njerëzve tek kryqëzimi i “21-ishit. Por mos harroni se ne patëm gjithë gatishmërinë të dalim nga qeveria e koalicioni nga koalicioni me LSI, për shkak të Reformës në Drejtësisë, sepse ishte më e rëndësishme se pushteti ynë, dhe ne i fituam zgjedhjet të vetëm sapo garuam në 25 Qershor, sepse njerëzit janë shumë më të mençur sesa duken nga zyrat apo banaqet e televizioneve këtu në Tiranë”.