Politika Balla reagon pas deklaratës së Besnik Muçit: Qesharake

Balla reagon pas deklaratës së Besnik Muçit: Qesharake

Taulant Balla u pyet nga gazetarët për shkarkimin nga detyra të Besnik Muçit, duke u shprehur se asnjë nga anëtarët e PS nuk i ka komentuar, por edhe nuk do të komentojë vendimet e dy niveleve të Vettingut. Ai theksoi se politika duhet të heshtë në lidhje me vendimet e procesit të Vettingut.

“Asnjë përfaqësues i PS nuk ka komentuar dhe komenton kurrë vendimet e dy niveleve të Vettingut. Vendimet e Komisionit të Vlerësimit janë vendime të autoriteteve Kushtetuese dhe nuk do të kenë asnjë lloj atakimi politik. Politika mjaft ka mbajtur peng për shumë vite paketën e reformës në drejtësi dhe politikanët duhet të heshtin sa herë procesi i Vettingut pastron elementë që nuk plotësojnë kushtet”, tha numri dy i PS.

Muçi tha pas shkarkimit se duke interpretuar ndryshimet ligjore të paketës së reformës në drejtësi, KPK nuk mund të bëjë Vettingun e tij. Ai theksoi se vendimi nuk ndikon në qëndrimin e tij në Gjykatën Kushtetuese.

Megjithatë, Taulant Balla e quajti qesharake këtë, duke thënë se kur nuk mund të jesh gjyqtar apo prokuror i nivelit të parë, si mund të jesh anëtar i Kushtetueses.