Politika Ballistët kundër partizanëve, Alimadhi debat me Ballën: A ka mundësi t’i vëllazërojmë...

Ballistët kundër partizanëve, Alimadhi debat me Ballën: A ka mundësi t’i vëllazërojmë shqiptarët?

Gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, kreu i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi ceku projektligjin “Për ndryshimet e statusit të veteranit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”, çka nxiti një debat mes tij dhe Taulant Ballës.

“Unë do të kërkoja mirëkuptimin tuaj dhe të pjesëmarrësve, duke qenë se është edhe 75-vjetori i Çlirimit të vendit, në mënyrë që kjo çështje të mos behej pjesë e debatit publik, për të mos i mbajtur shqiptarët të përçarë dhe ky projektligj të shtyhet deri në përfundimin e afatit”, u shpreh Alimadhi.

Pas fjalës së tij reagoi Balla:

“Pa dyshim, projektligji “Për ndryshimet e statusit të veteranit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare” bazohet në ligjin e miratuar në vitin 1994, pra ka 25 vjet, ku shumica në Kuvendin e Shqipërisë përbëhej nga deputetë të PD-së. Edhe asokohe, unë këtë e kam verifikuar, ky ligj ka kaluar me konsensus publik, sepse vlerësimin për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare nuk na takonte ta bënim ne, sepse e ka bërë historia. Modifikimet e sjella në ligj thjesht dhe vetëm e përafrojnë atë me të njëjtën qasje, që kanë të gjitha vendet europiane lidhur me Luftën Antifashiste kudo në Europë.

Në këtë kontekst, përkundrazi, unë mendoj se është një detyrim i Kuvendit të Shqipërisë që edhe në kuadër 75-vjetorit, si kudo në Europë edhe në Shqipëri, të kemi një qasje dhe përqasje të legjislacionit rregullues për vlerësimin e këtij momenti historik. Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare mbetet një prej plejadave më të rëndësishme të historisë sonë, e cila e ka radhitur Shqipërinë përkrah vendeve fituese antifashiste të Luftës së Dytë Botërore, qoftë me SHBA-të, qoftë me Britaninë e Madhe, qoftë me Francën. Historia ka treguar që ne sot të jemi pjesë e Aleancës strategjike të Atlantikut të Veriut. Prandaj, duke e mirëkuptuar edhe zotin Alimadhi, ky nuk është aspak politizim i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, por është vlerësim korrekt. Nëse do të futemi në diskutimin e ligjit, nuk është vendi këtu në Konferencën e Kryetarëve për ta diskutuar, besoj se edhe ju do të ishit dakord me rregullimin që synohet të bëhet”, tha Balla.

Alimadhi ndërkohë:

“Në fakt, dua ta bëj më të qartë idenë time. Unë e di që ju keni fituar dhe ne jemi poshtëruar, por problemi qëndron këtu: duke parë që në mediet shqiptare transmetohen përballjet midis palëve politike, unë mendoj se në këtë mënyrë ne përçajmë shqiptarët. Ideja ime është: a ka mundësi ta kalojmë këtë çështje në mënyrë pak më teknike, që t’i vëllazërojmë shqiptarët? Në qoftë se ju thoni që unë duhet të vij me detyrim, ju mbajeni këtë ide, por unë nuk vij te ju, sepse kam tjetër qasje. Pra, unë po them që duhet t’i mbajmë shqiptarët të bashkuar dhe të vëllazëruar. Kjo është ideja ime, por, në qoftë se ju thoni: do ta bëjmë medoemos sepse është e lavdishme, në fakt, kullon gjak shqiptari. Ju bëjeni, por problemi qëndron, a ka mundësi që shqiptarët edhe mbas 30 vjetëve, t’i afrojmë, pastaj t’ia lëmë me gjakftohtësi kohës që të eliminojë gjërat e tjera. Kjo më bën mirë politikisht nëse ju doni ta trajtoni, por shqiptarët po i përçani. Dakord, ju vazhdojeni, sepse keni fituar, por keni fituar padrejtësisht. Por po ju them ta bëni këtë në të mirë të njëri-tjetrit, nëse e doni, pastaj ju votat i keni dhe mund të vendosni vetë. Unë them, a ka mundësi ta spostojmë. A i lexoni gazetat? “Ky është armik”, “ky është bashkëpunëtor”, ku do shkojmë kështu? E thashë edhe në seancën që kaloi se është shumë prekëse. A prekeni ju ndopak? Ju keni fituar, sepse keni vrarë, por, ju lutem, shikojeni pak. Ku do të shkojmë kështu zotërinj? Mirë ne që po ju mirëkuptojmë, po ata që e kanë. nivelin pak më ndryshe? Teknikisht kalojeni, por nuk e di se sa do të ishte e dobishme, por vlerësoj që edhe për statusin që ne kemi, do të ishte mirë ta kalojmë pak në heshtje. Ju vazhdoni dhe bëjeni, por unë them se ne shqiptarët po i mbajmë të përçarë, në “tradhtarë”, “bashkëpunëtorë” dhe “e lavdishme”.

Po t’i futesh historisë, ju nuk e keni lexuar, por çfarë thotë historia tani, janë fakte. Ju nuk i dini, se askush nuk i ka lexuar ato. Ju thoni: “e lavdishme”, sepse ashtu i keni mbajtur edhe njerëzit, statistikat i keni, sepse keni gjithë administratën, edhe këtu po na poshtëroni. Por edhe kur thua një mendim tjetër, mos e interpretoni ndryshe. Unë po them se ne shqiptarët po i mbajmë të përçarë. A ju shërben interesi i pajtimit kombëtar? Ky është misioni që kemi, pastaj janë të tjerat”.