Opinione Ballkani Perëndimor është pjesë e BE

Ballkani Perëndimor është pjesë e BE

BE bëri në qershor të 2003-it në Selanik premtimin që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen një ditë anëtare të BE-së. Tregon vazhdimësinë dhe është e drejtë të mbash këtë premtim, mendon Krsto Lazarevic.

Krsto Lazarevic -DW

Besimi në një Evropë të bashkuar ishte në fillim të shekullit të 21-të aq i madh saqë edhe katër vjet pas luftës së Kosovës, këtyre vendeve iu hap perspektiva e pranimit. Dhjetë vjet më vonë nga ky besim nuk pati mbetur më asgjë. Kriza që filloi me falimentimin e Lehmann Brothers çoi në humnerë shtete të tëra të Evropës. BE rrezikoi të shpërbëhej, dhe për zgjerimin e mëtejshëm as që mund të mendohej. Mbas pranimit të Kroacisë në BE në vitin 2013 iu vu viza pranimeve të mëtejshme.

Ky lajm i erdhi edhe qeverive të Ballkanit Perëndimor. Ata i vonuan reformat e nevojshme dhe u bënë më pak demokratike. Pranimi i afërt në BE si motor për reformat demokratike dhe luftën kundër klientelizmave dhe korrupsionit nuk funksionoi më. Miqtë e BE-së në Ballkanin Perëndimor e ndien veten të mashtruar dhe aty u përhap cinizmi.

Po ky cinizëm mund të kapërcehet. Arsyeja është një dokument strategjik që u publikua ditën e martë nga Komisioni i BE, prej të cilit bëhet e qartë se Serbia dhe Mali i Zi do mund të bëhen anëtarë të BE që në vitin 2025.

Një boshllëk i shëmtuar në hartë

Përse vendet e Ballkanit dëshirojnë të bëhen sa më shpejt të jetë e mundur anëtare të BE e kupton qartë kur hedh sytë në hartë. Në hartën e BE shihet një boshllëk i shëmtuar tek vendet që nuk janë pranuar në BE. Nuk është vrimë e bukur si ajo në qendër të kontinentit që të kujton vrimën tek djathi zviceran. Njerëzit në Zvicër i kanë mirë punët edhe nëse nuk duan të hyjnë në BE, kjo është e thjeshtë.

Ndërsa boshllëku në juglindje të kontinentit duket si një gropë në një rrugë të asfaltuar, e cila duhet mbushur shpejt dhe nëse BE nuk e bën këtë atëherë vijnë e bëjnë të tjerët. Kina me projektet e infrastrukturës, Rusia dhe Turqia me sektorin e energjisë, Arabia Saudite dhe Katari me eksportin e një lloj islamizmi, që nuk ka traditë në rajon. Pjesa më e madhe e njerëzve në Ballkanin Perëndimor do preferonin që problemet e tyre të zgjidheshin si pjesë e BE-së.

Mall për Evropën

Burimi më i rëndësishëm i Ballkanit Perëndimor është malli për Evropën, i cili ka humbur në shumë vende të BE-së. Qeveria e Maqedonisë është e gatshme të ndërrojë emrin e vendit të vet, për t’ i dhënë fund një sherri absurd me Greqinë dhe hapjes së bisedimeve të pranimit me Brukselin. Qeveria serbe do njihte pavarësinë e Kosovës nëse bisedimet e pranimit do ishin të suksesshme, edhe nëse para popullit të vet nuk e pranon këtë ende. Me përjashtim të 8 mijë refugjatëve, Serbia ka bërë shumë më tepër se shumë vende të BE, dhe e ka bërë këtë pa demonstrata masive popullore dhe pa nxitje mediatike të urrejtjes kundër refugjatëve. Këto vende nuk mund t’ i akuzosh për mungesë angazhimi.

Kritikët do pyesnin, nëse gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor i plotësojnë standardet e larta për anëtarësim në BE. Përgjigja e sinqertë është: JO. Edhe Serbia e Mali i Zi nuk do jenë në gjendje t’ i plotësojnë të gjitha kushtet deri më 2025. Por ky nuk është argument që mund të përdoret kundër pranimit.

Askush nuk është perfekt

Le ta mendojmë një herë cilat vende do të duhej të nxirreshin jashtë BE nëse do të na duhej të përdornim standartet e larta gjithandej. Ne nuk duam në BE të kemi vende ku korrupsioni është masiv: Ciao Bella Italia. Nuk duam vende ku gazetarët duhet të kenë frikë të bëjnë punën e tyre: Bye Bye Malta. Nuk duam të kemi vende ku në qeveri bëjnë pjesë radikalë të djathtë: Mirupafshim, Austri.

Nëse BE do përbëhej vetëm nga vende që plotësojnë aktualisht paketën e stabilitetit dhe zhvillimit, në të cilat nuk ka korrupsion dhe ku plotësohen standartet e larta të BE në çështjet e shtetit të së drejtës, lirisë së shtypit dhe mbrojtjes së pakicave, atëherë BE do të kishte tani vetëm katër anëtarë: Luksemburgun, Danimarkën, Suedinë dhe Holandën. Gjermania dhe Finlanda mund të pranohen në BE në një të ardhme të afërt, nëse i përmbahen kursit të kursimeve dhe i ulin borxhet shtetërore nën 60 përqind të prodhimit të brendshëm bruto.

Perspektiva pranimi si nxitje

Vendimtare nuk duhet të jetë nëse shtetet e Ballkanit Perëndimor i plotësojnë të gjitha kushtet, por nëse luftojnë në vijim korrupsionin, klientelizmin dhe demokratizohen. Këtë ata do ta bëjnë nëse pranimi në BE mbetet si një opsion realist. Prandaj është e rëndësishme që Komisioni i BE-së të verë si objektiv vitin 2025. Edhe 15 vjet të tjera nuk mund të lihen të shkojnë.

Një barsaletë e përhapur në rajon thotë: “Nëse BE nuk vjen tek ne, atëherë do i hipim autobusit të shkojmë ne atje.” Nëse BE nuk arrin të integrojë Ballkanin Perëndimor dhe t’i japë drejtim pozitiv zhvillimeve ekonomike dhe demokratike të rajonit, atëherë njerëzit, sidomos të rinjtë do largohen nga vendi sepse nuk shohin atje perspektivë. T`u japësh këtyre njerëzve një perspektivë evropiane, do ishte një projekt që ia vlen për BE-në.

*Krsto Lazarevic ka lindur në Bosnjë -Hercegovinë dhe si fëmijë ka ardhur refugjat në Gjermani bashkë me familjen. Sot ai jeton në Berlin, punon si gazetar dhe publicist dhe shkruan për media të ndryshme në gjuhën gjermane.