Aktualitet Balluku inspektim në Qafë Thanë: Jemi në terren për të garantuar vijimin...

Balluku inspektim në Qafë Thanë: Jemi në terren për të garantuar vijimin normal të qarkullimit në të gjitha akset

Autoriteti Rrugor Shqiptar, si dhe firmat kontraktore për mirëmbajtjen e rrugëve kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar qarkullimin normal të automjeteve në të gjitha akset rrugore të vendit, pavarësisht reshjeve të dëborës dhe temperaturave të ulëta, të cilat kanë përfshirë disa prej zonave. Falë këtij angazhimi u bë e mundur mbajtja hapur e të gjitha akseve kombëtare.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga Drejtori i ARRSH, Ergys Verdho ishte në Qafë Thanë ku kontrolluan nga afër masat e marra për të garantuar që ky aks i rëndësishëm të jetë plotësisht i aksesueshëm.

Drejtori Verdho bëri të ditur se të gjitha kapacitetet janë në gatishmëri dhe se aktualisht situata është nën kontroll të plotë. “Aktualisht po punojnë rreth 350 mjete dhe 1000 punonjës. Kapacitetet tona janë deri në 1200 punëtorë dhe 500 mjete. Sasia e kripës së nevojshme është 5 mijë tonë dhe aktualisht që po flasim është gati për t’u hedhur. Borëpastrueset kanë qenë në punë gjatë gjithë natës, si dhe kriposja ka nisur që në orët e para të ditës së djeshme”, u shpreh Verdho.

Të gjitha akset rrugore aktualisht janë të kalueshme, ndërkohë që grupet e punës do të vijojnë të jenë në terren duke ju referuar edhe parashikimeve të motit, të cilat flasin për një situatë të ngjashme edhe për disa ditë në vijim.

“Ne do të vazhdojmë që t’i kemi në survejim të gjitha zonat. Unë kërkoj impenjim të plotë nga të gjithë kontraktorët dhe vëmendjen kryesore mbi supervizimin e tyre. Mbrëmë gjithë natën kemi qenë në komunikim me grupin tonë të emergjencave. Do të vazhdojmë deri sa kjo situatë të normalizohet, të mos kemi më risqe në të gjitha akset tona rrugore, por jo vetëm ato që mbulon Autoriteti Rrugor Shqiptar, por edhe në ato që mbulojnë bashkitë, qofshin ato në pjesën lindore të vendit apo në pjesën veriore, pasi siç e dimë bashkitë nuk kanë kapacitete për të përballuar situata të tilla dhe ne do të jemi të gatshëm, që t’i përgjigjemi kujtdo nga bashkitë pasi është detyra jonë që t’i shërbejmë të gjithë qytetarëve”, u shpreh ministrja e Belinda Balluku.

Duke ju referuar situatës së vështirë të krijuar në rrugën e Thethit, ministrja tha se ajo është një rrugë e cila është në administrim nga bashkitë, të cilat nuk e kanë kapacitetin për t’ju përgjigjur situatës pasi dëbora ka arritur deri në 2 metra në disa zona. Për këtë qëllim bashkë me mjetet e ARRSH është kërkuar edhe angazhimi i forcave të ushtrisë, të cilat tashmë janë në terren dhe po punojnë për hapjen e kësaj rruge.

“Fatkeqësisht nuk mund të hapet në një ditë, pasi po flasim për një trashësi mbi 2 metra deri në 2 metra e gjysmë dëborë. Ne kemi buldozerët e ushtrisë atje, kemi edhe kompanitë kontraktore të cilat po ndihmojnë për të hapur atë zonë. Ajo është një zona e cila mbulohet nga bashkia e Shkodrës dhe e Koplikut, por megjithatë ne kemi përqendruar të gjitha forcat atje për t’i ndihmuar sa më parë”, tha Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë ju bëri thirrje drejtuesve të automjeteve, që veçanërisht në këtë situatë, të tregohen të kujdesshëm dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore gjatë udhëtimit në këto akse.