Aktualitet Balluku me familjet e prekura nga tërmeti në zonën e Manzës: Do...

Balluku me familjet e prekura nga tërmeti në zonën e Manzës: Do nisim sa më shpejt rindërtimin e shtëpive të dëmtuara

Që prej pasdites së të shtunës, autoritetet shtetërore ndodhen në terren, ku krahas masave të marra për përballimin e situatës së shkaktuar si pasojë e lëkundjeve sizmike, vijojnë takimet me banorët e dëmtuar prekur nga tërmeti. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku së bashku me kryetaren e Bashkisë së Durrësit, Valbona Sako ishin në zonën e Manzës në familjen Sula, banesa e të cilëve është bërë e pabanueshme për shkak të dëmeve të shkaktuara.

Pas inspektimit te kryer, inxhinierët e Institutit të Ndërtimit dolën në përfundimin se banesa është e pariparueshme dhe për këtë arsye është vendosur ndërtimi i një banese të re, ndërkohë që shirat e rëna ditët e fundit kanë shtuar rrezikun që ndërtesa të shembet plotësisht.

Familja është sistemuar provizorisht në një çadër, sipas kërkesës së tyre, pasi kanë refuzuar të largohen nga shtëpia për t’u sistemuar në shtëpinë e pushimit të ushtrisë, e cila është vënë në dispozicion të familjeve të dëmtuara. Duke mirëkuptuar këtë ndjeshmëri ndaj shtëpisë së tyre, ministrja Balluku u bëri apel familjarëve që t’i qëndrojnë larg godinës më qëllim shmangien e ndonjë fatkeqësie më të rëndë.

“Kjo është një situatë e vështirë për t’u përballuar, shirat e bënë akoma më të vështirë. Por mos ju afroni kësaj ndërtese. Unë e di që kjo është shtëpia juaj, e di që zemra ju dhemb dhe doni të futeni brenda, por duhet t’i qëndroni larg. Kur aktet e konstatimit të inxhinierëve tregojnë, që janë të pabanueshme duhet t’i respektojmë, sepse nuk e dimë se çfarë tragjedie na vjen nga pas”, u shpreh Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se e gjithë Qeveria, së bashku me kryetarët e bashkive dhe deputetët ndodhen në terren dhe po shkojnë në çdo shtëpi, jo vetëm për të siguruar banorët për mbështetjen e autoriteteve shtetërore por edhe për t’ju kërkuar atyre që të respektojnë vlerësimet e ekspertëve për sigurinë e ndërtesave duke u qëndruar larg atyre të cilat kanë rrezik të madh shembjeje.

“Të gjithë ministrat janë në terren, të gjithë kryetarët e Bashkive janë në terren. Ne, siç po e shikoni, po vijmë në zonat më të thella, jemi këtu dhe po mundohemi të vijmë shtëpi më shtëpi sepse ju duhet të kuptoni ku janë të pabanueshme, pavarësisht sesi mendoni ju është më mirë që të dëgjojmë ekspertët”, theksoi Balluku.

Ministrja i siguroi familjarët, se janë marrë të gjitha masat, që sapo të përfundojë procesi i vlerësimit të dëmeve të nisë puna për rindërtimin e shtëpive të tyre, në mënyrë që të përfundohen sa më shpejt.

Ndërsa kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Valbona Sako bëri të ditur se në çdo grup të inspektimit i cili ndodhet në terren për të bërë verifikimin e banesave, ka pjesë të tij edhe një psikolog për t’ju gjendur në këtë mënyrë akoma dhe më pranë familjeve të dëmtuara dhe për t’i ndihmuar ata ta kalojnë sa më lehtë gjenden e rënduar psikologjike të shkaktuar si pasojë e lëkundjeve të tërmetit.