Ekonomi Balluku me naftëtarët: Keni vëmendjen e qeverisë, po realizojmë ato që ju...

Balluku me naftëtarët: Keni vëmendjen e qeverisë, po realizojmë ato që ju kemi premtuar

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ishte në qarkun e Fierit, ku zhvilloi një takim të zgjeruar me naftëtarë, ish-naftëtarë dhe përfaqësues të sindikatave të tyre, për të diskutuar lidhur me zbatimin e deritanishëm të ligjit për “Statusin e Naftëtarit”

Ministrja Balluku i ka siguruar naftëtarët se ata do të vazhdojnë të kenë vëmendjen dhe mbështetjen e qeverisë, për zgjidhjen e problematikave të tyre.

“Qeveria Rama e ka fokusin tek naftëtarët. Mos harroni që është bërë një projektligj i cili ka dashur kohë dhe mund. Zbardhja e akteve nënligjore kërkon kohën e saj, rishikimi dhe reformimi i akteve ligjore kërkojnë gjithashtu kohën e tyre. Por ju duhet të vlerësoni vëmendjen e qeverisë që është totalisht tek ju dhe unë ju premtoj që gjithçka thamë sot ne do ta realizojmë shumë shpejt”, është shprehur ministrja Balluku.

Deputeti, Ismet Beqiraj, pjesëmarrës në këtë takim, ka rikonfirmuar qëndrimin e mazhorancës për të mbështetur naftëtarët. “Ka qenë vullneti i kësaj mazhorance qeverisëse që u ka thënë po naftëtarëve dhe specialistëve për të bërë një status. Dhe sot naftëtarët e kanë statusin e tyre. Është paraqitur një projektligj për trajtimin financiar të punonjësve që kanë punuar në të tre industritë, minatorët, naftëtarët dhe metalurgët sepse edhe këto janë shtresa shoqërore sociale që duhen trajtuar”, tha Beqiraj.

Naftëtarët kanë ngritur shqetësimet e tyre që lidheshin kryesisht me shfuqizimin e ligjit 526, si pengesë për marrjen e vërtetimit nga sigurimet shoqërore, apo nisjen e kompesimit financiar. Ndërsa përfaqësuesit e sindikatave kanë kërkuar rishikimin e lidhjes së Kontratës Kolektive të punonjësve të Rafinerisë së Ballshit, ngritjen e repartit për sëmundjet e rënda në spitalin rajonal të Fierit dhe ristrukturim të repartit zjarrfikës.

Ministrja Balluku i ka siguruar se të gjitha shqetësimet e tyre do të shqyrtohen me vëmendje të veçantë, për të gjetur zgjidhjen më të mirë në interes të naftëtarëve.