Aktualitet Balluku në bypass-in e Vlorës: Kanë përfunduar më shumë se 45% e...

Balluku në bypass-in e Vlorës: Kanë përfunduar më shumë se 45% e punimeve

Në bypass-in e Vlorës janë realizuar më shumë se 45% e punimeve dhe vijon puna me ritme të larta në mënyrë që kjo vepër të jetë në një kohë sa më të afërt në dispozicion të qarkullimit të automjeteve. Thuajse përgjatë gjithë këtij segmenti është duke u punuar, ndërkohë që janë hedhur shtresat asfaltike në 9 kilometra të tij.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho dhe kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, inspektuan punimet që po kryhen për këtë vepër.

“75% të gërmimeve janë realizuar tashmë. 90% të punimeve të betonit, mure mbajtës, tombino, janë pothuajse të përfunduara. Kemi urën 5, e cila ka përfunduar plotësisht dhe po punohet për trotuaret e saj. Ura 1 është pothuajse e përfunduar vetëm për mbistrukturën. Praktikisht 45% të punimeve fizike janë pothuajse të kompletuara. Ecim me ritme shumë të shpejta që të realizojmë përfundimin në afat kohor”, bëri të ditur drejtori Verdho.

Kryebashkiaku Leli vlerësoi ritmin e lartë dhe ecurinë e mirë të punimeve.

“Vetëm pak ditë më parë, unë isha këtu me ambasadorin Soreca dhe që nga ajo ditë, që është shumë e afërt, volumi i punimeve që është kryer është impresionues. Unë duhet t’ju falënderoj juve personalisht dhe të gjithë trupën që punon në këtë vepër kaq të rëndësishme për qytetin”, nënvizoi Leli.

Në thuajse një muaj nga inspektimi i fundit i bërë në këtë kantier, u shpreh ministrja Balluku, progresi i bërë është i dukshëm. Të gjitha problematikat e hasura në këtë vepër kanë marrë zgjidhje ku e vetmja çështje, e cila është ende pezull, është ajo e shpronësimeve në zonën e Kaninës, për të cilën është duke u punuar.

“Ky është një investim i financuar dhe i mbështetur nga Bashkimi Europian. Ky nuk është thjesht një investim infrastrukturor, por ky është një investim i mirëfilltë në mbështetje të turizmit. Ambasadori Soreca ka një impenjim personal në këtë çështje dhe është kënaqësi që ka pasur mundësinë ta vizitonte dhe ta shikonte nga afër ecurinë e mirë të punimeve”, u shpreh Balluku teksa shtoi se ecuria e punimeve për këtë vepër është evidente.

Sa i takon problematikës në zonën e Kaninës, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se “çështja e shpronësimeve nuk ka të bëjë me impenjimin tonë, por ka të bëjë me problematikën e dokumentacionit, e dosjeve që duhet të përpilojnë banorët e Kaninës. Megjithatë unë i kam takuar vetë përfaqësuesit e tyre, i kam takuar bashkë me kryetarin dhe bashkë me Ergysin, kështu që unë jam shumë e sigurt që do gjejmë mirëkuptimin dhe duke i ndihmuar ata për të pasur dokumentacionin e duhur dhe për të mbyllur procesin. Do ndihmojmë edhe veten për ta dorëzuar sa më shpejt”.

Në bisedën me përfaqësues të kompanisë që po realizon punimet, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se do të jetë sërish në bypass-in e Vlorës pas disa javësh duke shpresuar që punimet të kenë avancuar me të njëjtin ritëm.