Ekonomi Balluku pret homologun bullgar: Thellohet bashkëpunimi për zhvillimin e transportit, linjë ajrore...

Balluku pret homologun bullgar: Thellohet bashkëpunimi për zhvillimin e transportit, linjë ajrore Tiranë-Sofje

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku priti në një takim zyrtar Ministrin e Transportit, Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikacionit në Qeverinë Bullgare, Rosen Zheliazkov. Temat e diskutuara janë bërë të ditura nga të dy ministrat, gjatë një deklaratë për shtyp të mbajtur në përfundim të takimit.

Ministrja Balluku tha se takimi kishte qenë mjaft i frytshëm dhe se kishin diskutuar me homologun bullgar një sërë çështjesh, sa i takon zhvillimit të transportit të të gjitha llojeve. Referuar transportit ajror, ministrja Balluku bëri të ditur se së bashku me homologun bullgar ndanë mendimin e përbashkët për një linjë ajrore Tiranë-Sofje, si një mundësi më shumë për lëvizjen e qytetarëve të të dyja vende.

“Shumë çështje të përbashkëta u prekën gjatë bisedës tone. Çfarë është më e prekshme në ditët e sotme dhe çfarë është më në interes të të gjithë rajonit tonë, është zhvillimi i transportit. Zhvillimi i transportit të në të gjitha mënyrat, duke filluar nga ai ajror, pasi numri i pasagjerëve në vitet e fundit është rritur nga të dyja anët, si pasagjerët që vijnë në Tiranë përmes aeroportit të Rinasit, për të vizituar Shqipërinë, ashtu dhe ata shqiptarë që shkojnë në Sofje për të vizituar Bullgarinë”, u shpreh ministrja Balluku.

Transporti hekurudhor, ishte një tjetër temë e diskutuar mes dy ministrave, ku ministri Zheliazkov, shprehu gatishmërinë për të mbështetur Shqipërinë, referuar eksperiencës së vendit të tij, ndërsa të dy ministrat ranë dakord edhe për nënshkrimin e një marrëveshjeje të rifreskuar mes dy vendeve sa i takon transportit detar.

“Gjithashtu biseduam për planet tona të së ardhmes, për planet e ndërtimit të hekurudhës, që shkon në kufirin me Maqedoninë e Veriut por dhe në kufirin me Greqinë, për të krijuar kështu një link të rëndësishëm, i cili do të lidhë Shqipërinë me Bullgarinë dhe të gjithë vendet e tjera nga ku sistemi hekurudhor bullgar shpërndahet”, theksoi ministrja Balluku.

Në takim janë diskutuar edhe çështjet e dixhitalizimit dhe telekomunikacionit, që janë shumë të rëndësishme në Bashkimin Europian dhe sidomos në rajonin tonë ka një fokus të veçantë nga Komisioni Europian.

“Kemi diskutuar për të gjithë problematikën ‘cyber security’, e cila është një çështje që na impenjon të gjithë shtetet europiane, por edhe më gjerë. Kemi folur për mundësitë e reja, që teknologjia ofron, por sigurisht edhe për kuadrin rregullator që teknologjitë e reja të telekomunikacionit duhet të kenë, për t’u krijuar kështu të gjitha vendeve, si të rajonit dhe si të Europës mundësi të njëjta penetrimi”, u shpreh ministrja Balluku.

Nga ana e tij Ministri i Transportit, Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikacionit të Bullgarisë u shpreh: “Me ministren Balluku kemi nisur një diskutim konkret lidhur me përpjekjet për të përshpejtuar ndërtimin e ish – Korridorit Paneuropian 8, si pjesë e rrjetit Trans-Europian të transportit, si dhe rrjetin hekurudhor Durrës – Tiranë – Shkup – Sofje deri në Detin e Zi, sepse ky korridor është lidhja midis Europës, Mesdheut me Detin e Zi, Kaukazin, Gjirin Persik etj. Pra ky është një projekt shumë i rëndësishëm dhe ne shpresojmë, që së bashku me kolegët tanë në Maqedoninë e Veriut, në vitet e ardhshme të përpiqemi të plotësojmë infrastrukturën, që do të sjellë avantazhe jo vetëm në transportin e mallrave, por edhe në transportin e pasagjerëve, në shkëmbimin e turistëve, etj”.

Të dy ministrat shprehën gatishmërinë për një forcim të mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve.