Politika Balluku: Vota një e drejtë civile, askush nuk duhet ta humbë këtë...

Balluku: Vota një e drejtë civile, askush nuk duhet ta humbë këtë rast

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka ftuar qytetarët shqiptarë që të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese duke marrë pjesë në votime teksa e cilësuar ditën e sotme si shumë të rëndësishme.

“Të gjithë duhet të dalim për të votuar, jo thjesht se vota është një e drejtë civile e çdo qytetari dhe ne duhet ta ushtrojmë atë, por edhe për faktin që këto zgjedhje morën vëmendje jo vetëm në Shqipëri por dhe ndërkombëtare. Kështu që ne duhet të tregojmë të gjithë sot që normaliteti në Shqipëri është siç ka qenë dhe nuk ka ndryshuar”, u shpreh Balluku në prononcimin për mediat pas procesit të votimit në qendrën e votimit e ngritur në ambientet e kopshtit numër 31 në rrugën “Pjetër Bogdani”.

Sa i takon ecurisë së procesit të votimit deri më tani, Balluku tha se përgjithësisht situata është e qetë ndërsa duke ju referuar Bashkisë së Vorës, ajo tha se të 44 qendrat e votimit janë hapur për të mirëpritur qytetarët për të ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese.

“Qendrat e votimit janë hapur pothuajse në të gjithë Shqipërinë . Unë do doja të thoja dhe për votuesit e zonës ku unë punoj, pra Vora është hapur sot në mëngjes që në orën 7:10 kanë qenë 44 qendra të gjitha funksionale dhe të kolauduara me votues. Kështu po ndodh dhe në Tiranë gjithçka është e qetë. Të gjithë duhet të dalin për të votuar për të përmirësuar imazhin e Shqipërisë që fatkeqësisht ditët e fundit ka marrë një goditje  nga ata që nuk i duan të mirën”, nënvizoi Balluku.

Ministrja theksoi më tej se “vota është një e drejtë civile ne votojmë për fëmijët tanë, votojmë për të ardhmen tonë dhe askush nuk duhet ta humbi këtë rast”. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë uroi që procesi i votimit të vijojë normalisht deri në përfundim të tij dhe të shmangen incidentet e panevojshme.