Aktualitet Banda e Muratajt testoi grabitjen dy muaj para goditjes në Rinas

Banda e Muratajt testoi grabitjen dy muaj para goditjes në Rinas

Banda e grabitësve të parave brenda aeroportit të Rinasit më 9 Prill 2019, ka kryer testime dy muaj përpara se të kryente goditjen finale. Gazetari i Tv Klan, Spartak Koka, ka deklaruar në emisionin “Opinion” se anëtarët e bandës kishin testuar çdo veprim të tyre që do të kryenin gjatë grabitjes, me qëllim për të matur saktësisht kohën që i duhej për të hyrë dhe për të dalë nga pista e aeroportit të Rinasit se bashku me paratë e grabitura.

Këto fakte janë bërë të ditur për grupin hetimor nga Alkond Bengasi, një nga të arrestuarit i cili është i penduar i drejtësisë. Bengasi është pikërisht personi që bëri modifikimin e furgonit të grabitësve. Grupi bëri prova gjithashtu edhe sa në gjendje është furgoni i modifikuar për të tërhequr bllokun e betonit.

Nga hetimet është konfirmuar se gjithçka ka ndodhur brenda 300 sekondave.

Furgoni me ngjyre të bardhë me logon e ‘Hetimit Tatimor’ ka mbërritur në derën e jashtme të aeroportit, pranë parkingut të imbarkimit, në orën 15:03 minuta. Njëri nga 4 grabitësit zbret nga makina dhe i vë zinxhirin një blloku betoni, përpara portës metalike.

Furgoni e tërheq për të hapur rrugën dhe për të hyrë në pistë i duhen më pak se 60 sekonda. Në orën 15:04 gjendet në pjesë e pasme të avionit të linjës Tiranë–Vjenë. Në grabitjen e parave brenda pistës së aeroportit ishin të përfshirë 5 persona që vepruan direkt. Pas largimit nga aeroporti, grabitësit u përballën me një patrullë të FNSH dhe nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vrarë Admir Murataj.