Bota Barack Obama pritet si yll rock-u në Këln

Barack Obama pritet si yll rock-u në Këln

Ish-presidenti amerikan, Barack Obama u prit në qytetin e Këlnit, Gjermani me entuziazëm të madh. Ai foli në samitin për lidershipin botëror, një cikël ligjëratash për shoqërinë civile.

Admirimi për Barack Obamën duket se nuk është shuar, megjithëse ai nuk është më president. Këtë përshtypje të krijonte mbrëmja në Këln, ku 15.000 vetë ishin mbledhur në Lanxess Arena për të dëgjuar presidentin amerikan, kur fliste për klimën, feminizmin dhe kulturën drejtuese të lidershipit. Atmosfera para daljes së tij ishte si para një koncerti të rock-ut. Fansat Obama i ka tek të gjitha grupmoshat. Shumë vetë përpiqeshin t’i afroheshin skenës për të bërë ndonjë foto të mirë për Instagram-in. Për mua si amerikane në Gjermani ishte disi sureale të shihje, se çfarë vale entuziazmi shkakton një ish-president amerikan, në një kohë që kur vjen kancelarja Merkel mund të bashkohen vetëm disa duzina njerëzish si kureshtarë.

35-vjeçari Alex thotë për Obamën se “ai është një nga figurat më me ndikim, më interesante dhe më inteligjente të kohës sonë”. Ndërsa Sarah, një amerikane që jeton prej 8 vitesh në Gjermani flet plot emocion. “Në vitin 2008 e kam dëgjuar dy herë Obamën të flasë në fjalime fushate, dhe energjia e tij ishte e pabesueshme. Gëzohem kaq shumë që e shoh përsëri, të dëgjoj mesazhin e tij të shpresës dhe optimizmit.” Me sa duket është shumë e madhe dëshira për të kujtuar një kohë, kur SHBA ishte më pak armiqësore ndaj të huajve dhe nuk sillej ndaj aleatëve  si tani.

Obama: Duhet të dëgjosh me vëmendje

Obama nuk e përmendi pasuesin e tij me emër, por kritika ishte e qartë. Paraqitja e ish-presidentit amerikan nuk ishte mbajtja e një ligjërate, por bisede të lirshme. Kur u pyet, se çfarë mendonte për administratën e tanishme, ai tha se “duhet të dëgjohet, se çfarë i preokupon njerëzit, çfarë u hap probleme, duhet të dëgjosh, se çfarë kanë për të thënë njerëzit, që janë ndryshe nga ti vetë”.

Kur ai u shpreh, se sa e rëndësishme është t’u mundësosh pjesëmarrjen në vendimmarrje grave dhe pakicave, shpërthyen duartrokitje frenetike në sallë. Në një moment tjetër sërish u dëgjua një kritikë e ish-presidentit, pa  emër, por që i drejtohej presidentit Trump. Obama tha, se është e rrezikshme për demokracinë, nëse mohohen parimet bazë dhe “injorohet arsyeja dhe logjika”. Me buzëqeshje megjithatë ai pranoi se “askush nuk bëhet president i Shteteve të Bashkuara, nëse nuk ka një vetëdije të shëndetshme.”

“Nuk e kemi një si ai në Gjermani”

Intervistuesi, autori Cristian Galvez, dukshëm i impresionuar nga Barack Obama i kërkoi megjithatë ish-presidentit, se si do ta justifikonte ai një nga vendimet më të kontestuara të mandatit të tij, e që e ka errësuar bilancin e punës së tij, – sulmet me drone në Jemen, që shkaktuan edhe viktima civile. Obama u përgjigj, se ato kanë shkaktuar më pak dëme kolaterale, nëse ai do të kishte dërguar atje ushtarë, megjithatë ka qenë një nga vendimet më të vështira të periudhës së tij. “Nëse unë them, se nuk e pranoj botën, siç është, por vetëm ashtu si duhet të jetë, atëherë kjo nuk është ndonjë filozofi e moralit, por ëndërritje.”

Kolona me automjetet që sjellin Barack Obamën në Këln

Dalja publike e Obamës në Köln mbante një titull jo të qartë: “World Leadership Summit” – me leksione për forcën e veprimit të shoqërisë civile, një formë e njohur në SHBA, por në Gjermani ende jo e përhapur.  Ndoshta prandaj edhe shumica u largua nga salla, kur Obama mbaroi bisedën.

Limuzina e Obamës

Holger, një 37-vjeçar në momentin e daljes nga salla tha “e kam parë Obamën kur ka folur në Berlin në vitin 2008, dhe mendoj se karizma e mesazhi i tij gjejnë rezonancë kudo”. Sipas Holger “ai është një yll rock-u politik. Ne jemi kaq të mahnitur, sepse nuk e kemi një si ai në Gjermani.”

Elisabeth Schumacher/Christoph Haselbach /DW