Sport Barça-Liverpool, Klopp ndez atmosferën duke provokuar: “Camp Nou” nuk është tempull

Barça-Liverpool, Klopp ndez atmosferën duke provokuar: “Camp Nou” nuk është tempull

Barcelona dhe Liverpooli do të vihen përballë njëra-tjetrës të mërkurën, në sfidën e parë gjysmëfinale mes tyre në Champions League. Mjaftojnë emrat rivalë dhe atmosfera në prag të kësaj sfide ndizet shumë shpejt, e jo më deklaratat e protagonistëve.

Barcelona ka fituar 4 nga 5 ndeshjet e fundit të Champions League në Camp Nou, ndërsa pikë aty ka marrë vetëm Tottenhami, por Barça luante me rezerva në atë sfidë.

Provokimi

Gjithsesi, trajneri i Liverpool Jurgen Klopp nuk beson te mistika e famshme e stadiumit dhe premton se Liverpool nuk do të ketë frikë, ashtu si bëri në Allianz Arena, ku mundi Bayernin.

“Camp Nou është thjesht një stadium. Është shumë i madh, por nuk është tempull futbolli“, tha trajneri gjerman për DAZN.

“Përballja me Barcelonën do të vinte herët a vonë. Sheh ekipet e tjera që vuajnë në Camp Nou dhe tani e provon vetë. Natyrisht, ne shpresojmë të luajmë mirë, edhe pse e dimë mirë që nuk jemi favoritë. Do jetë një ndeshje fantastike për gjithë adhuruesit e futbollit”, theksoi Klopp.

Për Liverpool është një moment vendimtar i sezonit, sepse përveçse synon të triumfojë në Champions, është në garë për titull në Angli, ku Manchester City kryeson me një pikë më shumë, në një sezon rekordesh për dy kryesuesit e Premier League.

Kundërpërgjigjja

Klubi i Barcelonës, nëpërmjet një postimi në profilin e rrjetin social “Twitter” preferoi t’i kundërpërgjigjej trajnerit gjerman me elegancë, pa e përmendur trajnerin e Liverpool, duke publikuar një video të këtij impianti, ku katalanasit kanë shijuar sa e sa fitore.

“Ky është ‘Camp Nou’, shtëpia jonë, tempulli ynë, fortesa jonë”, shkruan Barcelona në postimin e saj që shoqëronte videon.

Ndërkohë, një ditë më parë Barcelona publikoi edhe një video tjetër, teksa prezantoi mozaikun me të cilin do të presin skuadrën angleze. Në këtë koreografi mbizotëronin ngjyrat e klubit dhe të flamurit katalanas, ndërkohë që do të formohet edhe fraza “Gati për të ngjyrosur Europën”.