Sport Barça mer tri pikë të arta kundër Eibar-it

Barça mer tri pikë të arta kundër Eibar-it

Barcelona mori një fitore me shumë vlerë kundër Eibar-it falë golave të realizuar nga Luis Suarez dhe Jordi Alba. Me 3 pikët e marra, katalanasit shkojnë në kuotën e 62 pikëve, duke e çuar në 10 diferencën me ndjekësit më të afërt, Atletico Madrid-in, që luan ditën e diel. Sfida në “Ipurua” ka qenë mjaft e fortë mes të dyja skuadrave, por djemtë e Ernesto Valverde-s ditën që ta zgjidhnin atë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Katalanasit iu rikthyen fitoreve pas dy barazimeve radhazi në La Liga dhe tani do të bëhen gati për sfidën e parë të 1/8-ve të Ligës së Kampioneve në një gjendje të mirë psikologjike. Eibar-i u hapi shumë probleme blaugranave dhe gabimi i vetëm i tyre ishte që nuk finalizuan saktë. Djemtë e Valverde-s vazhdojnë të jenë të pathyeshëm në La Liga.

Messi është golashënuesi më i mirë i La Liga-s me 20 gola shënuar dhe gjithashtu asistuesi më i mirë (11 asiste). Barça vendosi një rekord të ri sot me fitoren e arritur, ku ka 31 ndeshje në La Liga pa humbur, Gjithashtu u barazua rekordi i vendosur nga Pep Guardiola në sezonin 2010-2011.

Të dyja skuadrat e treguan të kujdesshme në nisje. Pas 12 minutash lojë, Eibar kërkoi penallti, pasi Kike Garcia u rrëzua brenda zonës së rreptësisë pas një dueli me Segio Busquets-in. Por arbitri i takimit vazhdoi lojën. Në të 15 erdhi goli i ndeshjes me autor Luis Suarez-in, i cili realizoi me të djathtën pas një pasimi të Lionel Messi-t.

Rastet për blaugranat kanë qenë të pakta në portën e mbrojtur nga Dmitrovic. Për Eibar-in Orellana goditi shtyllën, ashtu si edhe Lionel Messi në të 36’. Për “Pleshtin” kjo është shtylla e 14 e goditur në kampionat dhe e 17-ta në total.

Pjesa e dytë nisi e shpejtë. Blaugrant kërcënuan të parët, por gjuajtja e uruguaianit përfundoi larg në të 50’, ndërsa në të 55’, Orellana kombinoi me Inui-n, por goditja e këtij të fundit doli jashtë për pak.

Skuadrat u treguan të kujdesshme në prapavijë, por vendasit e patën vazhdimisht dëshirën për të barazuar. Nga ana tjetër, blaugranat ishin rrezik i vazhdueshëm me Messi-n, Suarez-in dhe Coutinho-n.

Në të 66’, për vendasit erdhi një goditje e fortë, pasi një nga lojtarët më të mriz të takimit, Fabian Orellana mori kartonin e dytë të verdhë dhe la të tijtë me 10 lojtarë në fushë.

Në të 79’, sulmuesi argjentinas vuri në provë portierin e vendasve, Dmitrovic, me një gjuajtje të bukur, pas pasimit të Coutinho-s.

Menjëherë Eibar-i u përgjigj me anë të Inui-t, por Ter Stegen priti i sigurt. Në të 84’. Dmitrovic bëri një tjetër pritje shpëtimtare, këtë herë pas tentativës të Aleix Vidal-it. Pas presionit të madh të miqve, erdhi goli që vulosi takimin. Jordi Alba e pati të lehtë ta fuste topin në rrjetë, pas pritjes së Dmitrovic-it.